Komunikatë Zyrtare: Arjol Bllaca

FC 2 Korriku konfirmon për opinionin e gjerë sportiv se ka arritur marrëveshje me FC Ballkani për transferimin e futbollistit 18-vjeçar, Arjol Bllaca.

Klubi i 2 Korrikut, ka vendosur që ta miratojë kërkesën për transferim të futbollistit Bllaca në klubin nga Suhareka, gjithnjë pas diskutimeve me vet futbollistin, i cili po ashtu ka shprehur dëshirën që ta bëjë të mundur kalimin tek klubi në fjalë.

Sakaq, klubi kryeqytetas, ashtu siç edhe ka të ndërtuar filozofinë e punës, ka vendosur që të mos vendosë asnjë pengesë lidhur me këtë lëvizje në ditët e fundit të afatit kalimtar, ndonëse largimi i mesfushorit premtues do të thotë shumë për skuadrën në vijimin e kampionatit.

Klubi i 2 Korriku është shumë krenar me futbollistin Arjol Bllaca, e njëkohësisht shumë i lumtur me mundësinë që i është ofruar atij për t’u bërë pjesë e një klubi që po korrë suksese të njëpasnjëshme në futbollin vendor dhe jo vetëm.

Arjol Bllaca si futbollist është rritur tek Shkolla e Futbollit “2 Korriku”, dhe deri më tani nuk është aktivizuar për asnjë klub tjetër përpos atij “verdheblu”. Bllaca në mënyrë konstante ka qenë pjesë e grumbullimeve me moshat U15, U17 dhe U19 të Kosovës, çka dëshmon qartazi për potencialin që ai posedon si sportist.

Talenti i madh nuk është karakteristika e vetme e futbollistit 18-vjeçar, i cili pos tjerash njihet si një njeri me virtyte të larta, gjë që e ka treguar si brenda ashtu edhe jashtë fushave të futbollit, duke e bërë atë një ndër djemtë e rinjë më të respektuar në klubin nga Arbëria dhe jo vetëm.

Kujtojmë se mesfushori Bllaca për seniorët e 2 Korrikut ka debutuar në Shkurtin e vitit 2022, në ndeshjen kampionale kundër Vitisë, kur ishte aktivizuar si zëvendësues, për t’u shndërruar më pas në një startues të padiskutueshëm, gjë që vazhdoi edhe në xhiron e parë kampionale të këtij edicioni, kur u aktivizua me ekipin kundër Ferizajt, ndeshje në të cilën tregoi formë të lartë dhe angazhim të jashtëzakonshëm.

Për këtë lëvizje, disa fjalë i ka thënë Drejtori Gjeneral i FC 2 Korriku, Shaban Baholli. Punëtori i njohur sportiv në futbollin kosovar ka theksuar se ndihet shumë i lumtur që një mundësi e tillë po i jepet njërit nga talentët më premtues të 2 Korrikut, por edhe të të gjithë gjeneratës së tij brenda e jashtë vendit. “Nuk është hera e parë që tregohemi kaq mirëkuptues për lëvizje të futbollistëve tanë. Ne, më shumë se kushdo, jemi të interesuar që futbollistët e rritur në ambientet tona t’i avansojmë, t’iu sigurojmë mundësi zhvillimi në karrierë dhe këtë rast me Bllacën e konsideruam si të duhurin për të në këto momente në karrierën e tij futbollistike. Futbollistit i jemi shumë mirënjohës për respektin e treguar, angazhimin në klub dhe çdo kontribut tjetër të dhënë nga ai në dhjetët vitet që ai ka mbrojtur ngjyrat tona”, theksoi Baholli, njëri nga mbështetësit më të mëdhenj të futbollistit në fjalë.

Në këtë mënyrë, familja FC 2 Korriku, me sinqeritetin më të madh të mundshëm, Arjol Bllacën e falënderon për kontributin e dhënë, e po ashtu e uron për arritjen e tij që të kalojë tek një klub kampion si FC Ballkani.

Arjoli përherë do të jetë pjesë e grupit “verdheblu”, e dyert e klubit do t’i ketë të hapura përherë, sepse u rrit si kampion e si i tillë po largohet për një drejtim, që të gjithë shpresojmë se do të jetë ai që Bllacën do ta dërgoi atje ku ai e meriton – në majat e futbollit botëror.

Publikime të ngjajshme

FC 2 KORRIKU

Historiku i Klubit

Klubi i Futbollit “‘2 Korriku” është themeluar në vitin 1957, me emrin e atëhershëm Klubi i Futbollit “Proleteri”. Në vitin 1990, klubi ndërroi nomenklaturën, duke marrë emër të ri, Klubi i Futbollit “2 Korriku”, emër të cilin e bartë edhe sot.

Skuadra e Femrave