Raporti i ndeshjes 2 Korriku – Suhareka [0:2]

Dy ekipet e Ligës së Parë, 2 Korriku e Suhareka sot kanë matur forcat në duel miqësor, i dyti në histori në mes të këtyre dy klubeve, me të parin që ishte në verën e po këtij viti e që mbyllej me rezultatin e njëjtë sikurse takimi i sotëm, 0:2 në të mirë të “therandasve”.

Ekipi “verdheblu”, që sot u udhëheq nga kryetrajneri Ardit Gashi, në mungesë të Besim Ademit që ndodhet me Kosovën U19 në Maltë, atje ku sot kanë triumfuar përballë Ukrainës me rezultat të thellë 4:0, nuk arriti që fitore të gjejë as në takimin miqësor të zhvilluar në stadiumin “2 Korriku”, që u kalua me lojë të qetë, me disa raste, jo edhe aq të rrezikshme, por ç’është më kryesorja, pa lëndime të futbollistëve.

Kundërshtarët e kryeqytetasve, të udhëhequr nga një ish i 2 Korrikut si Arsim Thaçi, u treguan më cinikë dhe realizuan nga një gol në secilën pjesë. Në fraksionin e parë goditi bukur Fetahaj dhe geti rrjetën nga më shumë se njëzet metra distancë, kurse në fraksionin e dytë shënoi Rexhep Berisha, që u gjend mirë në zonë dhe përfitoi nga hutia e mbrojtjes së ekipit nikoqir, që vazhdon të pranojë gola lehtë të evitueshëm.

Për dallim nga disa prej takimeve të fundit, 2 Korriku sot u angazhua e tentoi, por sërish la për të dëshiruar, për faktin se ekipit po duket sikurse po vazhdon të i mungojë diçka, megjithatë sot u pa një përmirësim sado i vogël, por që natyrshëm se nuk mund të konsiderohet si i mjaftueshëm për ekipin.

Është me rëndësi të përmendet se ky takim miqësor që filloi në ora 14:00 iu shërbeu të dyja ekipeve të rangut të dytë të futbollit kosovar, të cilat garave iu rikthehen në fundjavën e ardhshme, me ndeshjet e xhiros së trembëdhjetë, e cila njëkohësisht konsiderohet si e parafundit e stinorit vjeshtor.

Për 2 Korrikun sot erdhi një lajm pozitiv, që lidhet me rikthimin e futbollistit Riad Jashari nga lëndimi, i cili javë më parë pati ndërhyrje kirurgjike, ndërsa sot mori afro dhjetë minuta, si për ta konfirmuar rikthimin e tij me skuadrën.

Formacioni startues i 2 Korrikut në këtë ndeshje ishte: Flamur Neziri, Enes Duraku, Albert Stublla, Abit Salihu, Agron Beqiri, Valton Ibrahimi, Andi Oruqi /kap./, Gneilepkan Marius Camara, Edon Zeçiri, Ardit Gashi, Redon Bejta. Kryetrajner: Ardit Gashi.

Në fraksionin e dytë u inkuadruan: Arnis Ajeti, Donart Selmani, Riad Jashari, Albion Murturi, Milot Hyseni, Shqiprim Kelmendi, Ideal Abdullahu.

Publikime të ngjajshme

FC 2 KORRIKU

Historiku i Klubit

Klubi i Futbollit “‘2 Korriku” është themeluar në vitin 1957, me emrin e atëhershëm Klubi i Futbollit “Proleteri”. Në vitin 1990, klubi ndërroi nomenklaturën, duke marrë emër të ri, Klubi i Futbollit “2 Korriku”, emër të cilin e bartë edhe sot.

Skuadra e Femrave