Drejtori sportiv i FC 2 Korriku, Drilon Baholli, dhe drejtori i shkollës së këtij klubi, Labinot Haziri, për shtatë ditë me radhë kanë pasur rastin që të marrin pjesë në të gjitha aktivitetet e gjigantit turk, Beşiktaş J.K., klub me të cilin ka marrëveshje bashkëpunimi tash e dy vite FC 2 Korriku.
Përgjatë qëndrimit një-javor, drejtuesit nga klubi i 2 Korrikut kanë pasur mundësinë që të përcjellin detajisht punën e ekipeve të klubit turk, me fokusin kryesor që ishte në ekipin e moshave nën 19-vjeç, kur dihet se drejtori Haziri udhëheq me gjeneratën e ekipit që njihet si ‘Under-19’.
Drejtuesit e klubit nga Kosova u pritën nga Shefi i ekipit të moshave U19 të Beşiktaş, z. Serdar Topraktepe, e po ashtu patën takim edhe me trajnerin që deri në pranverën e këtij viti angazhohej në Shkollën e Futbollit “2 Korriku”, z. Gökhan Yusufoğlu.

“Natyrisht se ndihesh mirë kur thellon bashkëpunimin me gjigantë të futbollit evropian si klubi i Beşiktaş-it. Ne e kemi shfrytëzuar në maksimum pjesën e qëndrimit tonë në shtetin e Turqisë dhe kemi mësuar mjaft shumë.” – theksoi Baholli, drejtori sportiv i klubit “verdheblu”.
Në vijim, një koment lidhur me eksperiencën në tokën turke u mor edhe nga drejtori Labinot Haziri, i cili u shpreh: “Kanë qenë ditë shumë të mira të kaluara me persona profesionistë të një klubi me renome si Beşiktaş-i. Kjo përvojë e jona është vazhdimësi e bashkëpunimit fantastik që kemi pasur me klubin turk tash e sa kohë. Si klub ndihemi krenarë që po vazhdojmë me sukses të ecim në hap me ekipet nga futbolli evropian, çdo ditë duke mësuar e duke u zhvilluar.”
Ky udhëtim, i vlerësuar lartë nga të dyja klubet në fjalë, nuk do të jetë i fundit, për faktin se 2 Korriku në planet afatgjate ka zhvillimin profesionalë të stafeve të të gjitha ekipeve, çka lë të nënkuptohet se së shpejti, rrugën për në Turqi por edhe në vende tjera të Evropës, tek klube të ndryshme që kanë korrur suksese me akademitë e tyre dhe jo vetëm, do ta marrin edhe shumë trajnerë tjerë nga kampi “verdheblu”.
Rreth bashkëpunimit FC 2 Korriku – Beşiktaş J.K. foli edhe Presidenti i klubit nga Kosova, Rexhep Baholli. “Përshëndes angazhimin e drejtorëve tanë në vizitën një-javore që kanë pasur në klubin e Beşiktaş-it. Është gjë shumë pozitive për ne që çdo ditë të mësojmë gjëra të reja dhe të zhvillohemi, andaj besoj se jemi duke ecur me hapa të duhur dhe për këtë gjë i jam mirënjohës secilit anëtar të klubit tonë”, tha Baholli, njeriu simbol i klubit nga Arbëria.






