Ekipi kryeqytetas, 2 Korriku ka arritur që me plot meritë ta sigurojë kalimin në mesin e gjashtëmbëdhjetë skuadrave më të mira në Kupën e Kosovës për edicionin 2023/24. Fitorja me tre gola të shënuar përballë ekipit të Superligës, Fushë Kosovës, ia ka mundësuar këtë sukses ekipit të udhëhequr nga kryetrajneri Besim Ademi.
Fushë Kosova, që natyrshëm se konsiderohej si favorite në përballjen e sotme, e nisi ndeshjen më mirë, me ç’rast goditi shtyllën qysh në sekondat e parë, përmes goditjes me kokë të Islamit.
Ekipi nikoqir vazhdoi me trysni të lehtë, teksa rrezikun e radhës e pati përmes Endrit Bahollit, që në minutën 8’ goditi nga gjuajtja e lirë, por topi u devijua nga “muri” mbrojtës dhe shkoi jashtë.
Pas tentimeve të ekipit nga Fushë Kosova, radha ishte për 2 Korrikun, që rrezikun e parë e pati me anësorin Enes Duraku, i cili gjuajti fuqishëm me të djathtën, por po me të djathtën dorë priti portieri Tërnava.
Në skënë doli sërish Duraku, kësaj radhë në minutën 21’, kur kërkoi penallti pas një ndërhyrje në të, por i këtij mendimi nuk ishte gjyqtari Kastrati, i cili sot ishte në nivelin e detyrës, bashkë me kolegët e tij, çka mundësoi zhvillimin e ndeshjes në mënyrën e duhur, me ritëm deri diku të lartë dhe pa ndërprerje të panevojshme, të cilat janë bërë zakon në ndeshjet e Ligës së Parë.
Fushë Kosova, si favorite, vazhdoi ta mbajë më shumë topin, teksa golin e epërsisë e arriti në minutën 28’. Ishte ish-i i 2 Korrikut, Endrit Baholli, ai që tregoi “mjeshtërinë” dhe realizoi gol shumë të bukur, thuajse sikur golat që dikur i shënonte me fanelën me ngjyrat “verdheblu”. Baholli shënoi, tregoi klasin e tij dhe nuk festoi në shenjë respekti për të gjitha vitet e kaluara si futbollist i ekipit kryeqyetas.
Pas disavantazhit, ndeshja u qetësua dhe rasti i fundit në këtë fraksion të ndeshjes ishte ai i minutës 31’, kur Edon Zeçiri i mysafirëve goditi por topi shkoi pakëz më lartë se porta.
Në pjesë-lojën e dytë, 2 Korriku hyri me qëllimin për të sulmuar portën e portierit Lorik Tërnava, duke e ditur se më nuk ka diçka për të humbur. Në anën tjetër, Fushë Kosova disi e relaksuar dhe e kënaqur me epërsinë e arritur, rrezikoi dy minuta pasi ri-filloi ndeshja, por goditjen e lehtë të Abazit e priti portieri Ajeti, i cili sot dha një paraqitje të mirë, duke treguar stabilitet dhe duke i dhënë siguri ekipit.
Pas minutës 50’, ekipi “verdheblu” filloi të sulmojë me intensitet të lartë. Ishte sulmuesi Miftar Avdiu ai që mori një top nga vendësit, dribloi dy kundërshtarë dhe goditi, por topi shkoi pranë portës. Kjo goditje ishte shenja e parë, sepse Avdiu me tentimet e tij nuk u ndalë dhe për rrjedhojë, në minutën 56’, nga afro njëzet metra distancë goditi fuqishëm me këmbën e majtë dhe shënoi golin më të bukur të ndeshjes për t’i barazuar shifrat – sulmuesi u përgëzua nga shokët e skuadrës.
Pas këtij rasti, 2 Korriku sikur u ringjallë dhe e mori veten. Në minutën 63’, pas insistimit të jashtëzakonshëm të mbrojtësit Abit Salihu, topi arriti disi deri tek Enes Duraku, i cili me gjuajtje të fortë zhagas mposhti për të dytën herë portierin Tërnava. Gëzim i madh tek mysafirët.
Pa kaluar as dy minuta, “kryeqytetasit” u shfaqën sërish të rrezikshëm. Sërish Duraku me topin, kësaj radhe asistoi për Avdiun, i cili tentoi nga afërsia por u ndalë nga portieri vendës.
Pas këtij rasti të lëshuar, Fushë Kosova pati mundësi të mirë për të shënuar, por, rastin një për një me portierin Ajeti, nuk e shfrytëzoi futbollisti Demiri, që goditi por jashtë portës.
Në vazhdimin e ndeshjes, 2 Korriku kërkonte që ta mbrojë rezultatin e Fushë Kosova që ta barazojë atë, madje ishte pranë me Statovcin në minutën 80’, mirëpo goditjen e tij e ndali “gardiani” Ajeti.
Rrezik për portën mysafire pati edhe nga Cenaj i Fushë Kosovës, që goditi nga largësia, por topi shkoi afër portës dhe jo në kuadrat.
Kësisoj, duke e parë se goli i barazimit nuk po arrihej asessi, për t’ia dhënë “goditjen” e fundit vendësve u përkujdes zëvendësuesi Granit Latifi, që goditi nga jashtë zonës e u ndihmua nga një devijim i mbrojtjes, por në fund qëllimet i arriti – e dërgoi topin prapa shpinës së portierit dhe ekipit ia vulosi kualifikimin tutje.
2 Korriku tani do ta presë shortin e radhës për raundin tjetër në Kupën e Kosovës, dhe me këtë fitore e mbyllë në mënyrë të “ëmbël” ciklin e ndeshjeve zyrtare në vjeshtën e këtij edicioni.
Vlen të përmendet si element pozitiv se për ekipin nga Arbëria e Prishtinës sot debutoi futbollisti i rritur në Shkollën e Futbollit “2 Korriku”, 19-vjeçari Donart Selmani.

Kupa e Kosovës; Raundi i Dytë (1/16)
KF Fushë Kosova – FC 2 Korriku 1:3
Golashënues: Endrit Baholli 28’; Miftar Avdiu 56’, Enes Duraku 63’, Granit Latifi 89’
Gjyqtarët e ndeshjes: Visar Kastrati (Prishtinë), Bekim Rama (Prishtina), Gzim Mehmeti (Ferozak), Valon Bajgora (Prishtina)
Delegati e ndeshjes: Afrim Nebihu nga Mitrovica
Vëzhguesi i i gjyqtarëve; Idriz Kelmendi nga Peja
Formacioni startues i Fushë Kosovës: Lorik Tërnava, Nasuf Berisha /kap./, Domnik Ivkic, Kastriot Rapuca, Leart Prapashtica, Drilon Cenaj, Dorent Hajdari, Leutrim Islami, Armend Abazi, Lis Demiri, Endrit Baholli. Kryetrajner: Burim Shala.
U inkuadruan edhe: Valon Hasani 46’, Labinot Jashanica 55’, Labinot Breznica 55’, Edison Neziri 70’, Urim Statovci 70’
Formacioni startues i 2 Korrikut: Arnis Ajeti, Riad Jashari, Abit Salihu, Agron Beqiri, Valton Ibrahimi, Ylli Prekopuca /kap./, Edon Zeçiri, Gneilpekan M. Camara, Enes Duraku, Ardit Gashi, Londrit Hamidi. Kryetrajner: Besim Ademi.
U inkuadruan edhe: Shqiprim Kelmendi 35’, Miftar Avdiu 46’, Granit Latifi 60’, Donart Selmani 78’, Albion Murturi 78’
Mungoi në ndeshje: Albert Stublla (i lënduar), Jehon Stublla (i lënduar)






