Ditë pas dite, skuadra e vajzave të Klubit të Futbollit “2 Korriku” po merr lajme të mira. I fundit është ai i marrjes së ftesës nga Kombëtarja e moshave U15 të Kosovës për futbollisten Altrisa Gashi, e cila është pjesë e klubit kryeqytetas qysh prej ditëve të para kur është krijuar skuadra e vajzave.
Altrisa, që kryesisht aktivizohet në krahun e djathtë të sulmit, i ka treguar cilësitë e saj në ndeshjet e para kampionale të edicionit 2022/23, që njëkohësisht është edhe hera e parë për të që merr pjesë në një edicion të garave zyrtare që organizohen nga Federata e Futbollit e Kosovës.
Këmbëshpejtja Gashi, që futbollin e ka dashur që në moshë shumë të re, është shprehur tepër e lumtur për këtë sukses të saj, që natyrisht i takon edhe skuadrës e trajnerëve që ka punuar me ta. Gashi ka thënë se sa shumë krenare është që ëndrra e saj po bëhet realitet, e ka treguar kënaqësinë e madhe që ia jep fanela “dardane”, përmes të cilës ajo tashmë do ta përfaqësojë shtetin e saj, Kosovën.
Ky sukses do të thotë shumë, për vet faktin se për skuadrën “verdheblu” është vetëm edicioni i parë në gara zyrtare, dhe një ftesë e tillë natyrisht se do të jetë pikë referuese që motivi i të gjithëve të shtohet e bashkë me motivin edhe puna.
Rreth ftesës për futbollisten “verdheblu”, ka folur edhe menaxheri i skuadrës së vajzave të klubit kryeqytetas, Sedat Limani, i cili mes tjerash ka potencuar se sa e rëndësishme është një ftesë e tillë, që nga ana e tij u tha se vlerësohet lartë e ka rëndësi të madhe në këtë fillim që skuadra e vajzave të 2 Korrikut po e ka në pjesëmarrjen për herë të parë në gara zyrtare.






