Debutojnë katër nga pesë transferimet e dimrit tek 2 Korriku

2 Korriku e Fushë Kosova u ndanë në një barazim në duelin e parë zyrtar pas pushimeve dimërore; nga ky duel, përpos pikës, 2 Korriku fitoi edhe paraqitjet e futbollistëve të rinjë të transferuar në afatin kalimtar dimëror, katër nga të cilët debutuan qysh ndeshjen e djeshme.

Me më së paku fat qëlloi mesfushori Burim Qorri, të cilit iu desh të largohej nga fusha që në minutën e 17’të, si rrjedhojë e lëndimit që ai pësoi në një duel me Hisenin e Fushë Kosovës. Për aq minuta sa luajti, Qorri tregoi se përvoja e tij mund t’i shërbejë shumë “verdhebluve”. Kurse, se sa do të mungojë Qorri, nga doktorët e klubit u tha se duhet pritur edhe pak kohë, për të ardhur më pas në një konkludim rreth kohës së saktë që do t’i duhet mesfushorit për rikuperim.

Përpos mesfushorit 30-vjeçar, nga minuta e parë debutoi edhe sulmuesi Camara, i cili ishte ndër futbollistët më aktivë të përballjes, duke depërtuar shpeshherë në krahun e tij, ku ndihmohej edhe nga Jashari e më pas edhe Osmani që u zhvendos si mbrojtës i djathtë.

Pas startuesve, radha ishte për futbollistët e transferuar që ndeshjen e nisën nga nga banka rezervë; pas lëndimit, Qorri u zëvendësua pikërisht nga një futbollist tjetër i transferuar, nga mesfushori Ibrahim Lebbie. Lebbie, i afruar javë më parë, tregoi thjeshtësi të madhe në fushën e blertë dhe ishte ndër faktorët kyç për këndelljen e skuadrës së Besim Ademit. Lebbie shenjën më të madhe në ndeshje e la në minutën e 67’të, kur dha topin asistues për Granit Latifin që realizoi për 2:2.

Krejt në fund, në minutat e fundit të ndeshjes, disa minuta iu dhanë edhe futbollistit të huazuar nga FC Prishtina, Andi Salihut; Salihu i cili u aktivizua që ta ndihmojë skuadrën që të mos pësojë në ata minuta lojë sa kishin mbetur, dha siguri për aq sa luajti dhe kreu detyrat me sukses.

Me lojën e katër futbollistëve të transferuar në dimër u shfaq i lumtur kryetrajneri i FC 2 Korriku, Besim Ademi; ish-futbollisti potencoi se ishte i kënaqur me karakterin që skuadra e futbollistët e transferuar treguan, sidomos në pjesën e dytë, si dhe tha se futbollistët e ardhur skuadër do të japin edhe më shumë në të ardhmen, sepse ka besim të madh tek ata.

Kujtojmë se tek 2 Korriku, përpos katër futbollistëve të përmendur më lartë e që debutuan dje, është transferuar edhe sulmuesi Israel Hallie, por për të nuk pati minuta në ndeshjen e djeshme, teksa mbetet të shihet se sa minuta do t’i japë në ndeshjet e ardhshme kryetrajneri Ademi atij.

Publikime të ngjajshme

FC 2 KORRIKU

Historiku i Klubit

Klubi i Futbollit “‘2 Korriku” është themeluar në vitin 1957, me emrin e atëhershëm Klubi i Futbollit “Proleteri”. Në vitin 1990, klubi ndërroi nomenklaturën, duke marrë emër të ri, Klubi i Futbollit “2 Korriku”, emër të cilin e bartë edhe sot.

Skuadra e Femrave