Mes kryeqytetasve, Flamurtarit e 2 Korrikut, sot zhvillohet ndeshja e xhiros së nëntëmbëdhjetë e grupit “B” të Viva Fresh Ligës së Parë.
“Kuqezinjtë” e “verdheblutë” do t’i masin forcat për herën e tretë brenda këtij edicioni. Pikërisht për këtë duel, nga delegimet e bëra si zakonisht nga organet e Federatës së Futbollit të Kosovës, është kuptuar se për këtë ballafaqim të tretë, “bilbil” kryesor do të jetë Belmin Jasarevic, arbitri që dy javë më parë ndau drejtësinë për “verdheblutë”, në duelin përballë skuadrës nga Dobraja, Arbërisë.
Përpos Jasarevic, treshen e gjyqtarëve do ta kompletojnë asistentët Fatmir Abrashi dhe Imran Kabashi, me Abrashin që tri javë më parë ishte gjyqtar në duelin në mes Flamurtarit dhe 2 Korrikut; ndërsa në anën tjetër, për Kabashin kjo do të jetë hera e parë që do ta ndajë drejtësinë për skuadrën nga Arbëria në këtë edicion.
Lista e zyrtarëve të ndeshjes nuk mbyllet me kaq; në mesin e tyre do të jenë edhe delegati i ndeshjes Naser Bunjaku e vëzhguesi i gjyqtarëve Afrim Morina.
Rikujtojmë se Flamurtari – 2 Korriku zhvillohet të shtunën, me fillim në ora 13:00 në stadiumin “Xhemail Ibishi” në kryeqendër.






