16-vjeçarët, Elvir Gashijan dhe Venis Havolli, ditë më parë kanë marrë rrugën për në Stamboll të Turqisë, atje ku janë bërë pjesë e kampit stërvitor të akademisë së klubit turk, Beşiktaş, që ka filluar më datë 25 Janar.
Dyshja nga klubi kryeqytetas kanë zhvilluar seancat e para stërvitore nën urdhërat e trajnerëve turq të klubit nga Stambolli dhe kanë filluar të ambientohen në tokën turke, atje ku pranë tyre kanë edhe trajnerin turk të 2 Korrikut, Gökhan Yusufoğlu.
Sulmuesi Gashijan dhe mbrojtësi Havolli kanë vlerësuar lartë kushtet e punës në akademinë e klubit turk dhe kanë falënderuar klubin “verdheblu” për mundësitë që atyre po iu jepen përmes marrëveshjes së bashkëpunimit që klubi i 2 Korrikut e ai i Beşiktaş e kanë të nënshkruar tash e trembëdhjetë muaj.
“Djemtë po i tregojnë cilësitë e tyre me bashkëmoshatarët e tyre nga Turqia dhe po vlerësohen lartë nga stafi teknik i akademisë së Beşiktaş. Ne besojmë shumë në Gashijanin e Havollin dhe shpresojmë se këto ditë që ata po kalojnë këtu do të iu ndihmojnë tutje në karrierë”, potencoi trajneri “verdheblu” Yusufoğlu, i cili tek 2 Korriku erdhi në Dhjetorin e 2021-tës si rrjedhojë e bashkëpunimit mes 2 Korrikut e akademisë së Beşiktaş.






