E shtuna dhe e diela e kësaj fundjave kanë qenë të mbushura me ndeshje futbolli për shkollën e futbollit nga kryeqyteti, atë të 2 Korrikut. Pesë ndeshje me tri grupmosha, “verdheblutë” i kanë zhvilluar në kuadër të garave që organizohen nga shtëpia e futbollit kryeqytetas, LRFP. 
Se do të shkonte mbarë ky vikend, tregoi rezultati i ndeshjes së parë të kësaj jave, që 2 Korriku e zhvilloi në Drenas kundër Shkollës së Futbollit “New Stars” me moshat nën 17-vjeç, e cila përfundoi me rezultatin 1:5 në të mirë të djelmoshave që drejtohen nga trajneri Egzon Fetahu.
Katër ndeshje u zhvilluan të dielën, në ditën e fundit të kësaj jave, në fushën e stadiumit të 2 Korrikut. Së pari u angazhuan grupet “A” të 2 Korrikut që bëjnë gara në Ligën “A” të Lidhjes Rajonale të Futbollit të Prishtinës, ku si fatosët (moshat nën 13-vjeç), po ashtu edhe pionerët (moshat nën 15-vjeç), arritën fitore. Së pari triumfuan djelmoshat e Ismail Berishës me rezultat të thellë 7:0, për t’ua lënë radhën të besuarëve të Ardit Gashit, që arritën fitore me rezultat të pastër 2:0, rezultat ky që u jep mundësinë që ta vazhdojnë kryesimin në renditjen tabelare.
Pas ndeshjeve të grupeve “A”, vendi u lirua për grupet “B” të shkollës “verdheblu”, që e nisën furishëm kundër Ulpianës, me fitore me rezultat të lartë, 11:1, të skuadrës së fatosëve që për trajner kanë të riun Art Rrustemi. Serinë prej katër fitoreve të shkollës nga Arbëria në këto dy ditë, e ndali skuadra e pionerëve të Ulpianës, të cilët me shumë mund arritën t’i ndalin futbollistët e udhëhequr nga trajneri Qëndrim Berisha, në një barazim me plot gjashtë gola të shënuar.

Për këto rezultate, trajnerët u shprehën të kënaqur dhe lavdëruan futbollistët për angazhimin e madh, por mbi të gjitha theksuan se ka ende vend për përmirësime, për çka edhe premtuan se do të punohet javëve në vijim derisa skuadrat të vijnë në formën e tyre optimale.






