Mbrëmjen e djeshme, Kosova U19 ka zhvilluar ndeshjen e dytë në kuadër të “Main Round” për Kampionatin Evropian EURO 2023. “Dardanët” përkundër angazhimit dhe dëshirës për fitore, janë mposhtur nga skuadra nën-kampione e botës, Portugalia (7:4).
Ekipi i udhëhequr nga Suad Keqi tentoi mjaft shumë për të dalë ballëlartë edhe nga kjo përballje, e dyta e kësaj faze të kualifikemeve për evropian, mirëpo kundërshtarët portugezë u treguan më cinikë dhe arritën fitoren e dytë me radhë, që natyrshëm ua jep edhe lidershipin në grupin 3 të “Main Round”.
Për t’u përmendur është fakti se për Kosovën u paraqit sërish futbollisti i 2 Korrikut, Ideal Abdullahu, ndërsa minuta nuk pati për dyshen tjetër, Alibon Murturin dhe Olti Shalën.
Skuadra kosovare tanimë ka vetëm edhe një ndeshje për ta zhvilluar në tokën portugeze, atë kundër Bjellorusisë që do të zhvillohet më 26 Mars nga ora 14:00. Kujtojmë se Kosova tani ndodhet në pozitën e dyë në grup me tri pikë, duke lënë mbrapa kombëtaret si Bjellorusia e Sllovakia.






