Forma e dobët e “verdhebluve” nga kryeqendra e Kosovës nuk po ka fund, e kur ia shton kësaj edhe referimin jashtëzakonisht të dobët, atëherë natyrshëm se konkludimi është i dijshëm – humbje e radhës.

2 Korrikut në ndeshjen kundër Kikës, nuk i mjaftoi vetëm paraqitja e dobët në fushë, mirëpo u desh që të dëmtohet edhe nga treshja e gjyqtarëve, të cilët thënë të drejtën, siç duket tashmë i kanë dhënë vetes mundësi që të gabojnë në çdo ndeshje të skuadrës kryeqytetase, e madje për këto “lëshime” nuk kërkojnë falje, por arsyetohen se kinse nuk i kanë parë rastet e dyshimta (gjë për të cilën janë në fushë) si dhe thonë se kanë njohuri më shumë referim se sa stafi teknik e futbollistët, duke iu thënë se ata ndjekin kurse për referim, si për të tentuar që të tregojnë se vendimet e tyre janë absolute, të drejta dhe pa kurrfarë të drejte për t’u kontestuar nga dikush tjetër, gjë për të cilën 2 Korriku nuk pajtohet e nuk do të pajtohet asnjëherë, sepse për ta kuptuar një pozitë jashtë loje e për të kuptuar se cilat raste akordohen penallti, nuk të duhen kurse e njohuri të shumta, sepse janë njohuri elementare në futboll.
Sidoqoftë i lëmë pak anash akterët e ndeshjes e vazhdojmë me raportin e ndeshjes. Në “Agush Isufi” u pa lojë shumë e dobët, kjo ndoshta edhe për shkak të fushës, e cila edhe në kushtet më të mira atmosferike nuk është në gjendje për lojë futbolli e lëre më në ato raste si dje kur kishte edhe reshje shiu.
Gjithsesi, vendësit treguan se ndeshjes i janë kyqur shumë seriozisht, duke rrezikuar nga goditja e lirë në minutën e 16-të, të cilën e priti “gardiani” Neziri e topin e kthyer tek futbollistët “hogoshtasë”, këta të fundit tentuan që ta dërgojnë në rrjetë, por e njëjta goditje u bllokua nga mbrojtja mysafire dhe rreziku kaloi.

Rrezik tjetër për portën mysafire erdhi edhe nga sulmuesi Ferati, i cili ani pse pati dëshirë të madhe, nuk arriti që të godasë saktë e fuqishëm sa duhet për ta dërguar topin prapa shpinës së portierit “verdheblu”.
Për t’u treguar “të gjallë”, kryeqytetasit rrezikuan me anësorin Bajrami. “Muli” mori një top, kaloi një mbrojtës e tentoi një harkim-goditje e cila u devijua nga Rashiti i vendësve për në goditje këndore.
Deri në fund të fraksionit të parë të lojës, krejt çka u panë ishin tentimi i vendësve me Kqikun si dhe tentimi i mysafirëve për të shfrytëzuar një lëshim në mbrojtjen vendëse, kur Gashijan kaloi bukur e dërgoi topin në zonën e portierit, por për fat të keq nuk ishte askush për ta dërguar topin në rrjetë. Kësisoj, pjesëloja e parë u mbyll baraz, 0:0.
Pjesa e dytë vazhdoi njësoj – me lojë të dobët nga të dyja anët. Por, kësaj radhe u pa se nga fusha do të dalë një skuadër fituese. Themi kështu sepse 12-të minuta pas startit, Bajrami i mysafirëve tenton të kalojë në mbrojtjen vendëse, por njëri nga mbrojtësit vendës “zgjedh të luajë hendboll” e ia pamundëson kalimin; si për çudi, ani pse atë prekje me dorë e panë thuajse të gjithë, e njëjta gjë nuk ndodhi edhe me gjyqtarët, që zgjodhën më të thjeshtën – të arsyetohen se nuk panë asgjë.
Kjo nuk ishte e tëra. Për 2 Korrikun gjërat u përkeqësuan edhe më shumë, tash me përjashtim nga loja të futbollistit Agron Beqiri (71’), i cili mori kartonin e dytë të verdhë si rrjedhojë e një ndërhyrjeje në Shabanin e Kikës. Kjo ndërhyrje e palejuar ua mundësoi “hogoshtasëve” rrezikimin e portës së Nezirit me një goditje afër zonës së rreptësisë. Mirëpo, Neziri vendosi të mos mposhtet dhe me shumë vështirësi ndali goditjen maestrale të mesfushorit Emini.
Kartoni i kuq ndryshoi gjërat. Kika u hodh në sulm e 2 Korriku tentoi që të mos dalë i mposhtur nga ndeshja. Me këto synime, ndeshja vazhdoi e Kika rrezikoi sërish, kësaj radhe në minutën e 82’, përmes një goditjeje që përfundoi e stopuar nga portieri Flamur Neziri.

Me gjithë këto ndodhi, “momenti i së vërtetës” erdhi. Një top i gjatë shkoi në drejtim të mbrojtjes mysafire, e një futbollistë i Kikës, nga pozita jashtë loje, u inkuadrua dhe ndihmoi në fitimin e topit për skuadrën e tij, dhe si rrjedhojë po në këtë aksion u fitua goditje e lirë për Kikën, nga e cila më pas erdhi autogoli i Salihut të 2 Korrikut që edhe i dha “vulën” epilogut të ndeshjes, sepse me këtë gol u mbyllën rastet e rrezikshme të ndeshjes dhe fitorja iu takoi vendësve.
Por, “tmerri” nuk përfundoi me kaq. Më e keqja e këtij rasti ishte arsyetimi i anësorit Rama, që tregoi se e di sesi gjykohet një pozitë jashtë loje, me pretekstin se ka marrë pjesë në disa kurse për referim, dhe kjo e bën atë që të kuptojë më mirë se çka është pozitë jashtë loje, ani pse diçka e tillë është e lehtë për t’u kuptuar sepse në futboll është diçka elementare.
E për fund, si “qershi mbi tortë”, FC 2 Korriku do ta ketë të pamundur që këto “lëshime” t’i paraqesë para organeve të FFK-së e publikut, sepse ndeshja e djeshme nuk u xhirua nga askush, ani pse është obligative që një gjë e tillë të ndodhë, por ja që në vendin tonë, gjërat dinë të anashkalohen e pse jo edhe të shërbejnë edhe si arsye që në të ardhmen, fajtorët të kalojnë pa u ndëshkuar.
Mirëpo, përkundër të gjithave, FC 2 Korriku siguron të gjithë se për këto raste ku djemtë e 2 Korrikut u dëmtuan, do të ndërmarrë hapat e mëtejmë dhe do të tregojë se gjithçkaje i vie fundi, përfshirë këtu edhe dëmtimin e skuadrës seniore të FC 2 Korrikut nga gjyqtarët.

Kika – 2 Korriku [1:0] (0:0 pas pjesës së parë)
Golashënues: Abit Salihu (85’ OG)
Gjyqtarët: Qëndrim Vata, Fatmir Abrashi, Fisnik Rama
Delegat i ndeshjes: Ismet Breznica
Vëzhgues i gjyqtarëve: Selami Haziri
Formacioni startues i Kikës: B. Rahimi, L. Ferati /kap./, B. Rashiti, P. Isufi, M. Imeri (B. Kastrati 90’+), A. Mustafa, B. Emini, O. Mehmeti (A. Fejzullahi 46’), J. Kastrati, A. Ramadani (Sh. Shabani 70’ – A. Rudaku 90’+), F. Kqiku. Kryetrajner: Mergim Kastrati.
Formacioni startues i 2 Korrikut: F. Neziri, A. Salihu (G. M. Camara 89’), A. Salihu, A. Beqiri, R. Jashari, A. Oruqi /kap./(Y. Prekopuca 65’), B. Qorri (I. Hallie 89’), A. Bllaca, E. Gashijan (R. Arifi 71’), M. Avdiu (R. Bejta 65’), F. Bajrami. Kryetrajner: Besim Ademi.






