Gjatë mesditës së sotme, në ambientet e Federatës së Futbollit të Kosovës është hedhur shorti për 1/16 e Kupës së Kosovës.
Shorti u hodh për dhjetë skuadrat e Albi Mall Superligës, njëzet të Viva Fresh Ligës së Parë si dhe për dy skuadra nga Liga e Dytë.
Nga shorti që u tërhoq sot, 2 Korrikut iu servua për kundërshtar skuadra që bën gara në grupin “A” të Viva Fresh Ligës së Parë, Feronikeli ‘74.
Ndeshjet e raundit të 1/16 të Kupës së Kosovës do të zhvillohen më 17 Nëntor, kurse ndeshjet e skuadrave që do t’i kenë të angazhuara nga dy e më shumë futbollistë në ekipet kombëtare do të zhvillohen më 24 Nëntor.
Nga Klubi i Futbollit “2 Korriku”, i pranishëm në shortin e sotëm ishte drejtori Shaban Baholli. Baholli foli disa fjalë pas shortit të hedhur në zyret e FFK-së, me ç’rast potencoi: “Është mirë që do t’i kemi edhe ndeshjet e kupës para se të shkojmë në pushimin dimëror, sepse nuk do të shkojmë menjëherë në pushim dhe besoj që një gjë e tillë do të mirëpritet edhe nga vet futbollistët. Ne nuk kemi ndonjë synim për sa i përket kupës, mirëpo do të hyjmë që të tregojmë lojë të mirë dhe pastaj të shohim se çka do të na sjell ndeshja.”






