Këtë të shtunë, në stadiumin e 2 Korrikut në lagjen Arbëria të kryeqytetit, është zhvilluar dueli derbi mes rivalëve lokalë për moshat nën 17-vjeç.
2 Korriku dhe Ramiz Sadiku matën forcat në një duel deri diku të luftuar, me “verdheblutë” që llogaritë i mbyllën që në pjesë të parë, kur edhe arritën epërsi prej tre golash, pa pësuar asnjë. Kurse, në pjesën e dytë, Ramiz Sadiku arriti të lë shenjë; shënoi golin e nderit por edhe pësoi një gol tjetër, çka bëri që shifrat e duelit në fund të jenë 4:1 në të mirë të vendësve të 2 Korrikut.
Pos që ishte e ëmbël si fitore, për skuadrën e drejtuar nga Mustafë Pronaj kjo ndeshje ishte e rëndësisë së veçantë, kjo për faktin se fitorja në fund i shpalli kampion të stinorit vjeshtor në Superligën e Kadetëve, garë të cilës 2 Korriku “ia ka marrë dorën” siç thotë populli, pasi që në pesë vitet e fundit është shpallur kampion i saj pesë herë me radhë.
Pos që morën epitetin e më të mirëve të vjeshtës në kategorinë e moshave nën 17-vjeç, “verdheblutë” patën ecuri për t’u përmendur në pesëmbëdhjetë xhirot e para të këtij edicioni.
Dhjetë fitore, katër barazime e vetëm një humbje pa dyshim se shuajnë çdo dyshim se sa i merituar ishte ky suksese për ekipin e drejtuar nga trajneri Pronaj, i cili suksesshëm po ec drejt titullit të katërt të kampionit në Superligën e Kadetëve.
Ani pse shënuan tridhjetë e shtatë gola, sulmi i 2 Korrikut nuk doli të jetë më i miri i ligës. Por, njëjtë nuk është edhe për sa i përket mbrojtjes, me portën kryeqytetase që ka pësuar më së paku deri tani; vetëm gjashtëmbëdhjetë gola.
Pesë herë portën e paprekur dhe gol në secilën ndeshje të këtij stinori janë ato që veçse e perfeksionojnë ecurinë e mirë të ekipit “verdheblu” në garat e moshave nën 17-vjeç.
Ani pse kampion vjeshtor, kryetrajneri Pronaj theksoi se vetëm gjysma e punës është kryer dhe duhet dyfishi i punës së bërë deri tani që ekipi ta fitoj trofeun në fundin e edicionit 2022/23. Megjithatë, trajneri “verdheblu” thuri lavde për të besuarit e tij, të cilët i falënderoj për angazhimin e madh e për të cilët beson se e ardhmja ka për të qenë e ndritur dhe me shumë suksese.
Superliga U17 tashmë do të shkojë në pushim dimëror, kurse do të rikthehet tek në muajin Mars të vitit të ardhshëm, 2023-tës.