Është sot dita kur mbyllen garat në grupet “A” të Lidhjes Rajonale të Futbollit të Prishtinës, grupe në të cilat dy vendet e para i “rrëmbeu” 2 Korriku me moshat U13 dhe U15.
Fatosët në njërën anë, me bilanc prej 20 fitoreve, 1 barazimi e 1 humbjeje, triumfojnë si të parët e grupit me 61 pikë, me sulmin më të mirë me 101 gola të shënuar e po ashtu edhe me mbrojtjen më të mirë me 18 gola të pranuar.
Në anën tjetër, pionerët, që gjatë tërë kampionatit nuk iu larguan pozitës së parë, njësoj si fatosët, e mbyllin kampionatin me 61 pikë, me sulmin më të mirë në grup me 98 gola të realizuar si dhe me mbrojtjen më të mirë me vetëm njëmbëdhjetë gola të pësuar.

Me sot nuk mbaron asgjë, përkundrazi, puna për djemtë që udhëhiqen nga trajnerët Ismail Berisha e Ardit Gashi, vazhdon edhe më tej, e madje tash veçse fillon faza finale, kur “verdheblutë” garojnë për titujt kampionë në kuadër të regjionit të Prishtinës, e pastaj edhe për titujt kampionë në nivel vendi.






