Të dielën që lam pas u ndeshën Vllaznia nga Pozherani e 2 Korriku nga Prishtina. Kjo përballje që i takoi xhiros së tretë të grupit “B” të Viva Fresh Ligës së Parë, u fitua nga vendësit e Vllaznisë nga Pozherani.
Por, ndonëse nuk arritën qëllimin për ta fituar ndeshjen, mbrojtësi Milot Hyseni e mesfushori Endrit Musolli ndeshjen e xhiros së tretë do ta kujtojnë këtë si ndeshjen e parë zyrtare në të cilën janë aktivizuar në edicionin 2022/23 të Viva Fresh Ligës së Parë.
Milot Hyseni, që aktivizohet kryesisht në krahun e majtë të mbrojtjes, është i lindur në vitin 2003, teksa më parë ka mbrojtur edhe ngjyrat e skuadrës gjilanase, SC Gjilani. Hyseni është afruar tek 2 Korriku në merkaton e verës të po këtij edicioni, ndërsa dje arriti të bëj debutimin e tij si “verdheblu”.
Përpos mbrojtësit Hyseni, përballë skuadrës nga Pozherani mori minuta edhe mesfushori i ri, Endrit Musolli, i cili vitin e kaluar është promovuar nga skuadra e juniorëve të 2 Korrikut, skuadër në të cilën ka bartur edhe shiritin e kapitenit. Për Musollin, kjo nuk është hera e parë që është aktivizuar me skuadrën seniore, pasi që mesfushori debutimin e ka bërë dy edicione më parë, saktësisht në edicionin 2020/21, në duelin që 2 Korriku e zvhilloi kundër Ferizajt, në stadiumin me bar sintetik në Ferizaj.
Kësisoj, me paraqitjet e bëra në ndeshjen e 4 Shtatorit, Hyseni e Musolli hyjnë në listën e futbollistëve të rinj që në këtë edicion po marrin minuta me skuadrën seniore në garat që kjo skuadër po i zhvillon në Viva Fresh Ligën e Parë të futbollit në Kosovë.






