Fazës së dytë të Viva Fresh Ligës së Parë të futbollit në Kosovë po i vie fundi. Kjo fundjavë do t’i sjellë duelet e dyta të skuadrave në mes vete për këtë edicion, përmes të cilave do të arrihet një renditje përfundimtare e këtij fraksioni të garave, në bazë të së cilës pastaj do të jetë edhe shorti për ndeshjen e fazës së tretë të garave.
Skuadra kryeqytetase, 2 Korriku këtë cikël garash do ta mbyll në “Ferki Aliu” të Vushtrrisë, përballë skuadrës së drejtuar nga trajneri perspektiv Alban Dragusha.
Tek “verdheblutë” këtë javë ka mbizotëruar atmosferë pozitive, sidomos pas fitores së mundimshme e shumë të rëndësishme që erdhi në shtesën e ndeshjes kundër Arbërisë. E pikërisht pozitivitetin, “gardiani” i skuadrës nga Arbëria thotë se bashkë me shokët e skuadrës do ta përdorin që nga vizita në Vushtrri të kthehen me kokën lartë dhe me pikë “në xhepa”. “Fitore janë të gjitha të rëndësishme, por kur e arrin një të tillë në minuta shtesë, atëherë domosdo ajo fitore të shijon më shumë se tjerat, ani pse pikët janë njëjtë nga secila ndeshje që e fiton. Kjo fitore ka dhënë shumë energji pozitive brenda grupit. Këtë gjë ne do të tentojmë që ta shfrytëzojmë në maksimum, sepse jemi në seri të mirë dhe kërkojmë që edhe nga ndeshja e radhës të dalim të pmaposhtur”, tha portieri Ajeti, që me 2 Korrikun në këtë stinor është paraqitur në 14 ndeshje të Viva Fresh Ligës së Parë.

Duke parë rrugën drejt përfundimit të fazës së dytë kampionale, Arnisi shtoi: “Është mirë që në këtë fazë të kampionatit, ne jemi ngritur në tabelë. Nuk kënqemi me kaq, sepse nuk do të ndalemi. Duam më shumë pikë, sepse deri tani nuk kemi siguruar asgjë dhe kështu gjithçka mbetet hapur. Një rezultat pozitiv në Vushtrri do të na ndihmojë shumë edhe për shortin e fazës së tretë, andaj kemi shumë arsye që këtë përfundim të fazës ta marrim si motiv dhe të mos mjaftohemi me rezultatet e deritanishme që i kemi arritur.”

Për fund, siç edhe e do zakoni, nga portieri perspektiv u kërkua edhe një mesazh i shkurt, e për ta përmbyllur bukur, ai tha: “S’duhen më fjalë, por duhet fokusim për nesër. Jam gati për ta dhënë maksimumin dhe për ta mbajtur portën e paprekur.”






