Të besuarit e Besim Ademi e ata të Emin Baliqit kanë matur forcat sot në stadiumin e 2 Korrikut në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë, në një duel të karakterit miqësor, që nuk prodhoi gola, por dha shfaqje interesante për publikun e pranishëm.
Ndeshja e zhvilluar në Arbëri nisi në një mot goxha të mirë dhe jo aq të ftohtë, mirëpo gjërat ndryshuan shpejt, saqë gjyqtari Troshupa u detyrua ta ndërprejë për disa çaste duelin në minutën e njëzet e shtatë, krejt kjo si rrjedhojë e reshjeve të shumta të borës dhe erës së madhe që nisën brenda pak sekondash.
Dueli mes ”prishtinasve” e “mitrovicasve” ishte tipik i një dueli të fazës përgatitore, me futbollistët që vërehej se ishin bukur shumë të ngarkuar nga seancat e stërvitjes dhe natyrshëm që edhe energjia e tyre në fushë dukej si më e ulët në dallim me herat tjera kur ata janë në gatishmëri të plotë dhe të pangarkuar fizikisht.
Sidoqoftë, përtej çdo gjëje, futbollistët e të dyja skuadrave treguan cilësitë e tyre, krijuan raste, me Trepçën që ishte shumë më kërkuese në fillim të ndeshjes, e me 2 Korrikun që ngjalljen e arriti tek pas afro gjysmës së pjesës së parë.
2 Korriku me lehtësi ka mundur të dalë si fitues nga dueli i sotëm, por mos-konkretizimi i rasteve dhe mos-shfrytëzimi i hapësirave që mysafirët lanë sidomos në pjesën e fundit të ndeshjes bën që ndeshja të mbyllet ashtu siç nisi, pa gola, me porta të paprekura.
Rastet nuk munguan as nga ana e mysafirëve nga Mitrovica, mirëpo në element sot ishte “gardiani” Ajeti i “verdhebluve”, që me tri pritje fantastike iu tha “STOP” goditjeve të skuadrës mysafire dhe e mbajti portën e tij të paprekur përgjatë nëntëdhjetë minutave të lojës.
Për t’u përmendur është se kryetrajneri Ademi i 2 Korrikut aktivizoi plot njëzet e një futbollistë në ballafaqimin e sotëm, praktikë kjo e parë edhe në ndeshjet e kaluara miqësore, e aplikuar vetëm e vetëm që nga elementët e rinjë të afruar në skuadër si: Lebbie, Hallie, Camara e Qorri, por edhe nga futbollistët që kanë qenë pjesë e ekipit në vjeshtë, të nxirret maksimumi dhe të punohet në drejtim të arritjes së formës optimale kur kanë mbetur edhe dy javë para rifillimit të kampionatit në Viva Fresh Ligën e Parë.






