AlbanianEnglish

,

Raporti i ndeshjes Vjosa – 2 Korriku

Mesditën e së dielës së 23 Tetorit, Vjosa nga Shtimja e 2 Korriku nga Prishtina matën forcat në një duel të zhvilluar në Stadiumin e Qytetit në qytetin e Shtimes.

Dueli i zhvilluar në kuadër të xhiros së njëmbëdhjetë në Viva Fresh Ligën e Parë në futboll i takoi skuadrës së Vjosës, e cila arriti fitore pasi arriti të kaloi plot tri herë në epërsi, ani pse “verdheblutë” e 2 Korrikut tentuan mjaft shumë e madje arritën që ta barazojnë rezultatin dy herë.

Përballja e sotme nisi më mirë për 2 Korrikun, që rrezikoi i pari me futbollistin Labinot Jetullahu, i cili për pak sa nuk realizoi nëpërmjet goditjes së lirë të fituar nga sulmuesi Avdiu në minutën e njëmbëdhjetë.

Rasti i 2 Korrikut siç duket e zgjoi Vjosën dhe më pas vazhdimi i pjesës së parë foli thuajse vetëm në të mirë të skuadrës nga Shtimja.

Së pari erdhi rreziku me goditjen nga mesfushori Kozmaqi, goditja e të cilit përfundoi mbi portë, e vetëm gjysmë minuti më vonë erdhi rreziku edhe me një tjetër goditje nga jashtë zonës të cilën e priti portieri Ajeti.

Ndeshja zhvillohej me ritëm deri diku të lartë, me Vjosën që e gjeti sërish veten në mundësi shënimi (27’). Kësaj radhe rasti erdhi nga goditja me kokë, me topin që përfundoi në duart e “gardianit” Ajeti, i cili u mposht në minutën e tridhjetë e pestë, kur brenda zonës, pasimin e sulmuesit Gashi, ish-i “verdheblu”, Adonis Aliu, e shfrytëzoi dhe me goditje të fortë realizoi për 1:0.

Ndonëse në epërsi, vendësit nuk u ndalën dhe lehtë kanë mundur ta thellojnë epërsinë. Fillimisht ishte mundësia që sulmuesit Gashi i erdhi nga pasimi i gabuar i portierit Ajeti, goditje të cilën e priti pikërisht portieri Ajeti, e më pas nga topi i kthyer ishte Aliu në rast të mirë, por që sërish portieri mysafir ishte në krye të detyrës dhe nuk lejoi të ia tundin rrjetën edhe një herë e me ç’rast edhe përmirësoi gabimin e bërë.

Pak para pushimit mes pjesëve, më e “gjallë” u bë skuadra e 2 Korrikut. Ishte këmëbëshpejti Flamur Bajrami që përpak sa nuk befasoi me një tentim për të krosuar që u devijua nga një mbrojtës mysafir, me topin që me vështirësi u dëbua nga porteri Azemi në rivënie këndore. Nga topi i krosuar pas rivënies së fituar, “verdheblutë” tentuan të rrezikojnë me Prekopucën e Bajramin, mirëpo njëra goditje u bllokua e tjetra shkoi lart mbi gol, çka edhe bëri që pjesa e parë të mbyllet me shifrat 1:0 në të mirë të vendësve.

Pjesa e dytë nisi shumë më mirë për 2 Korrikun, që e gjeti veten duke realizuar pas vetëm dy minutave lojë. Harkimin e bukur të Osmanit e vazhdoi prekja e lehtë e Avdiut me kokë, me topin që shkoi tek Bllaca e i cili arriti që të shënoi bukur e të barazoi shifrat.

Ani pse “verdheblutë” morën veten, vendësit nuk vonuan shumë dhe realizuan sërish, kësaj radhe përmes Ardit Gashi, i cili shënoi dhe i dha avantazhin sërish ekipit të tij, mirëpo goli, siç shihet edhe nga pamjet e siguruara pas ndeshjes, ishte jashtëzakonisht shumë i dyshimtë për pozitë të parregullt.

Gjithsesi, drama nuk kishte të ndalur. 2 Korriku doli përpara sërish. Kësaj here, protagonist doli të jetë Miftar Avdiu, që shfrytëzoi harkimin milimetrik të Bajramit e nga një pozitë bukur e largët realizoi me kokë për 2:2, duke e mposhtur kështu për herë të dytë porterin Azemi, i cili përkundër tentimit, nuk arriti ta dëboi topin nga porta.

Goli i dytë i barazimit i dha qetësi ekipit të 2 Korrikut, që natyrisht kërkoi ta mbronte këtë rezultat, mirëpo jo duke u vendosur me të gjithë futbollistët në mbrojtje, sepse kohë pas kohe kërkoi që të dilte e të rrezikonte.

Sidoqoftë, me t’u realizuar tri gola të shpejtë, ndeshja u duk sikur u qetësua, mirëpo një gjë të tillë nuk e lejoi gjyqtari Festim Dogani. Ishte pikërisht gjyqtari Dogani që bëri “mrekullinë”. Po, po, “mrekullinë”. Një top i gjatë nga mbrojtësi Dragusha shkon në drejtim të sulmit, i cili disi mbërrin deri tek anësori i vendësve, Livoreka. Në tentim për ta mbrojtur topin, Livoreka rrëzohet në skaj të zonës së rrezikshme e për këtë rrëzim maestral, Dogani ia “dhuron” një penallti këtij të fundit, ndoshta edhe si “shpërblim” të atij rrëzimi fenomenal, që vërtetë edhe po të shikohen pamjet, është për gjynah ta shohësh se çfarë penalltie akordohet. Penalltia mbetet, përkundër që “verdheblutë”, me plot të drejtë, ankohen jashtëzakonisht shumë tek gjyqtari kryesor, i cili siç duket, nuk donte gjë tjetër veçse ajo penallti të ekzekutohej sa më parë, sepse ndoshta edhe vet e kuptoi se çfarë gabimi bëri, e të cilin ndoshta edhe nuk kishte guxim që ta zhbënte e ta anulonte penalltinë e turpshme.

Sidoqoftë, protestat nuk ia “lanë shenjë” gjyqtarit, i cili dha sinjal për t’u goditur penalltia, e pas këtij sinjali, i saktë nga pika e bardhë u tregua shtatgjati Gashi, goditjen e të cilit e lexoi portieri Ajeti, por që nuk pati mundësi që ta pres.

Kështu, ndeshja vazhdoi me epërsinë e vendësve. 2 Korriku tashmë me mendjen e larguar nga ai episod i turpshëm i penalltisë, u hodh në sulm për ta kërkuar barazimin për herë të tretë me radhë. Për këtë gjë, ekipi po sulmonte pa reshtur, me kryetrajnerin e “verdhebluve” që i dha sinjal për të shkuar para edhe mbrojtësit të inkuadruar në pjesën e dytë, Arifit, por të gjitha këto nuk dhanë rezultat, e në anën tjetër ekipi nga Arbëria edhe mund të ndëshkohej, sikur sulmuesit e vendësve të tregoheshin më vigjilentë e t’i shfrytëzonin hapësirat që mbeteshin prapa kur 2 Korriku hidhej i tëri në sulm.

Përpjekjet e skuadës ”verdheblu” vazhduan deri në fund, mirëpo shifrat mbetën ato që erdhën pas golit të tretë të vendësve, dhe kësisoj, pas pesë minutave shtesë, akteri kryesor i ndeshjes dha shenjë për përfundim të takimit.

Viva Fresh Liga e Parë; Java e Njëmbëdhjetë

Vjosa – 2 Korriku 3:2 (1:0 pas pjesës së parë)

Golashënues: Adonis Aliu (35’), Ardit Gashi (56’, 81’ pen.)– Arjol Bllaca (47’), Miftar Avdiu (59’)

Gjyqtarët: Festim Dogani, Hekuran Osmani, Leutrim Azemi

Delegat i ndeshjes: Agim Keka

Vëzhgues i gjyqtarëve: Shaip Grainca

Formacioni startues i Vjosës: R. Azemi, L. Pajaziti, B. Selimi, T. Haliti, A. Kozmaqi (E. Gjoka 86’), A. Gashi, P. Livoreka (kap.)(E. Fejzullahu 86’), A. Aliu (I. Ademaj 73’), Q. Tershana, I. Shabani (E. Muça 65’), A. Shurdhiqi (B. Ahmeti 65’). Kryetrajner: Meriton Baftiu.

Formacioni startues i 2 Korrikut: A. Ajeti, R. Jashari (R. Arifi 46’), A. Salihu (E. Morina 82’), Y. Prekopuca, P. Osmani, A. Oruqi (kap.), A. Bllaca (Rr. Rama 65’), L. Jetullahu, G. Latifi (Sh. Aliti 46’), M. Avdiu, F. Bajrami (M. Hyseni 65’). Kryetrajner: Besim Ademi.

 

 

Publikime të ngjajshme

FC 2 KORRIKU

Historiku i Klubit

Klubi i Futbollit “‘2 Korriku” është themeluar në vitin 1957, me emrin e atëhershëm Klubi i Futbollit “Proleteri”. Në vitin 1990, klubi ndërroi nomenklaturën, duke marrë emër të ri, Klubi i Futbollit “2 Korriku”, emër të cilin e bartë edhe sot.

Skuadra e Femrave