Raporti i ndeshjes Vllaznia – 2 Korriku

Java e tretë e Viva Fresh Ligës së Parë ka shënuar humbjen e dytë me radhë për 2 Korrikun. “Verdheblutë”, që në këtë xhiro udhëtuan drejt Pozheranit në kërkim të tri pikëve të para të plota, u mposhtën nga skuadra e Vllaznisë, të cilët tashmë kalojnë në kuotën e katër pikëve.

Viva Fresh Liga e Parë; Java e Tretë

Vllaznia – 2 Korriku 3:1 (3:1 pas pjesës së parë)

Gjyqtarët: Flamur Nagavci, Lekë Saraqini, Krenar Gaxholli

Delegat i ndeshjes: Burim Vrajolli

Vëzhgues i gjyqtarëve: Driton Preniqi

Golat e realizuar: Rinor Hoxha (5’), Selim Halabaku (20’, 30’) – Ylli Prekopuca (22’)

Formacioni startues i 2 Korrikut: F. Neziri, R. Jashari (B. Shala 72’), R. Arifi (R. Bejta 72’), A. Shahini, V. Ibrahimi (G. Latifi 46’), A. Oruqi (kap.) (E. Musolli 81’), Y. Prekopuca, L. Jetullahu, Sh. Aliti, M. Avdiu (M. Hyseni 81’), P. Osmani. Kryetrajner: Besim Ademi.

Formacioni startues i Vllaznisë: D. Mehmeti, A. Halimi, T. Ajeti (kap.), A. Ibrahimi, F. Osmani (B. Maliqi 81’), A. Sherifi (I. Hamdi 46’), H. A. Onaka, R. Ismaili, S. Halabaku (K. Pira 90+’), L. Kastrati (A. Ferati 66’), R. Hoxha. Kryetrajner: Sallah Sherifi. Ecuria e ndeshjes

Moti i mirë e fusha me bar sintetik, ofroi mundësi që futbollistët ta japin më të mirën, e para tifozëve të dhurojnë plot katër gola, shumë raste të shpërdoruara e shumë kartonë të verdhë për të dyja ekipet.

Pjesa e parë, rezultati i së cilës edhe mbeti i pandryshuar deri në fund, doli të jetë vendimtare.

Futbollistët e Vllaznisë arritën që për tridhjetë minuta lojë të realizojnë tri herë, ndërsa “verdheblutë” arritën që të lënë shenjë me super golin e Prekopucës (22’), por kjo nuk mjaftoi, ani se skuadra krijoi shumë, pati dy raste jashtëzakonisht të dyshimta për penallti e një gol të anuluar, i cili po ashtu ishte shumë diskutabil. Kaq për pjesën e parë shumë të luftuar, të cilës i mungoi vetëm gjykim më i drejtë, me gjyqtarët që lanë shumë për të dëshiruar.

Disavantazhi prej dy golave e gjeti 2 Korrikun më ndryshe në pjesën e dytë, e gjeti të zhvendosur në sulm me të gjitha forcat, ndërsa nga ana tjetër shihej një Vllazni që kërkonte diçka nga kundërzbritjet dhe që më shumë ishte e interesuar të mbrohej. Por, për fatin e keq të futbollistëve, ajo që nuk ndryshoi fare as në pjesë të dytë ishte gjykimi i ndeshjes, që vazhdoi në të njëjtën mënyrë, e cila thënë të drejtën më shumë u jepte përparësi vendësve që të qëndronin shtrirë, sesa që i bënte mirë lojës në përgjithësi.

Sidoqoftë, “verdheblutë” u munduan ta lënë anash referimin, ndonëse ishte e pamundur, dhe arritën të sulmojnë e krijojnë raste si me harkime nga anash po ashtu edhe me goditje si ato të Jetullahut, mirëpo krejt këto përpjekje rezultuan të pasuksesshme, me portierin Mehmeti të vendësve që tregoi vendosmëri e arriti që ta mbaj portën e paprekur në pjesëlojën e dytë.

Por, le të ndalemi pak tek referimi, tek gjyqtari kryesor, emri i të cilit mund të ketë figuruar si gjyqtar, por i njëjti vetëm drejtësi nuk ndau, madje shkoi aq larg, saqë mungesën e autoritetit të tij gjatë tërë ndeshjes, u mundua ta shfaq duke i treguar kartonin e verdhë futbollistit më te ri në fushë, Shahinit, dhe kur e bëri këtë, pikërisht në minutat e fundit të ndeshjes. Pa dashur të mohohet paraqitja e zbehtë e “verdhebluve”, ky duel vërtetë pati mungesë të ndarjes së drejtësisë, drejtësisë së atillë ashtu siç ky duel i sotëm e meritoi.

Për skuadrën e drejtuar nga Besim Ademi vlen të përmenden edhe futbollistët Milot Hyseni, i ardhur këtë verë tek 2 Korriku, si dhe Endrit Musolli, i promovuar nga skuadra juniore në edicionin e kaluar, të cilët arritën që të marrin minutat e parë në këtë edicion.

Skudra kryeqytase vazhdon ta ketë vetëm një pikë, me garat në Viva Fresh Ligën e Parë që do të vazhdojnë edhe javën e ardhshme, teksa 2 Korriku do të jetë nikoqir i hogoshtasve të Kikës.

Publikime të ngjajshme

FC 2 KORRIKU

Historiku i Klubit

Klubi i Futbollit “‘2 Korriku” është themeluar në vitin 1957, me emrin e atëhershëm Klubi i Futbollit “Proleteri”. Në vitin 1990, klubi ndërroi nomenklaturën, duke marrë emër të ri, Klubi i Futbollit “2 Korriku”, emër të cilin e bartë edhe sot.

Skuadra e Femrave