Dita e dytë e muajit Dhjetor të vitit 1995 ishte dita kur Ardit Gashi, një djalë nga Prishtina, erdhi në jetë. Arditi, i rritur me pasionin ndaj futbollit, herët filloi të merrej me futboll, duke ia bërë të qartë vetes çdo ditë e më shumë se sa shumë e dashuron sportin e futbollit, këtë sport që po e përcjell edhe sot, kur Gashi ka mbushur 27 vite jetë.

Si i ri, saktësisht në moshën 11 vjeçare, Gashi karrierën si futbollist aktiv do ta niste në Shkollën e Futbollit “2 Korriku”, vend ky të cilin Arditi do ta vizitonte e do të stërvitej në të plot dhjetë vite me radhë, deri sa të vinte dita kur ai bën zgjedhjen e jetës, atë të të vazhduarit karrierën përsëri me futboll, por tashmë në një dimension tjetër, në atë të udhëheqësit të skuadrës, pra në profesionin e mundimshëm, por shumë të dashur, atë të trajnerit. Periudha dhjetë vjeçare e të qenurit pjesë e klubit nga kryeqyteti nuk do të përfundonte me ndërrimin e profesionit, sepse mundësia për t’u bërë trajner, iu ofrua pikërisht nga krerët e klubit nga Arbëria.

Por, le të ndalemi pak te periudha si futbollist. Një mbrojtës intetelegjent e shumë i fortë në lojën në ajër, ishin elementet që binin në sytë e të gjithëve në momentet e para që ata shihnin Arditin në fushën e blertë. Punë e madhe, intensive, e përcolli Gashin, si një djalosh të ri, i cili krahas titujve si kampion i Kupës së Kosovës (me moshat U15 dhe U19), qëllimin e tij të madh do ta arrinte 18 vjeçare, kur edhe do të bënte debutimin në ekipin e të rriturve, ose siç ndryshe njihet në botën e futbollit si ekipi senior. Dy vite të mbushura me emocione, Arditi do t’i kalonte me “verdheblutë” e rritur, mirëpo gjatë kësaj kohe ai veçse do të kuptonte se për të, më e mira do të ishte sikur qëllimet në futboll t’i arrinte përmes pozicionit të trajnerit. Kështu edhe veproi. Kryesia e 2 Korrikut, të lumtur me dëshirën që Gashi tashmë donte ta ndiqte rrugën e trajnerit, e vendosën atë si ndihmës-trajner të moshave U9 dhe U11. Si ndihmës-trajner, i riu Gashi do të vazhdonte edhe me moshat U13, mosha të cilat pas një viti do t’i merrte nën udhëheqje, dhe jo rastësisht, do të arrinte që qysh në edicionin e parë si kryetrajner, të fitonte titullin kampion të Regjionit të Prishtinës. Si trajner i fatosëve do të vazhdonte edhe për një vit tjetër, teksa tituj kampioni do të fitonte sërish, në edicionin pasues, fillimisht atë të Regjionit të Prishtinës dhe më pas atë të kampionit të Kosovës. Në vazhdën e punës si trajner, Arditi arrin të fitoi edhe një titull tjetër, me moshat U15,  titull ky që do arrihej pas fitores në finale kundër pionerëve të Shkollës së Futbollit “Kurda” me rezultat 3:1. Ky ishte titulli i kampionit të Regjionit të Prishtinës (edicioni 2021/22).

Ndonëse ka shumë për t’u folur për eksperiencat si trajner, për Gashin ka vend edhe për çmime individuale, të cilat erdhën si pasojë e një përkushtimi të jashtëzakonshëm që rrallë shihet në punën e të rinjëve. Mirënjohjet nga Lidhja Rajonale e Futbollit të  Prishtinës në vitet 2019, respektivisht 2022, janë treguesit më të mirë se si Gashi po ndërton karrierën e tij me qëllime të mëdha, arritja e të cilave shihet si shumë e mundshme, sidomos kur merret parasysh fakti se çfarë pune të madhe trajnka bërë e po vazhdon ta bëjë.

Në vazhdën e arritjes së çmimeve individuale, si sukses i kohëve të fundit mund të përmendet çmimi i fituar nga Lidhja Rajonale e Futbollit të Prishtinës si “Trajneri më i mirë i vitit 2022” për moshat U15.

Si një i ri në zejen e trajnerit, Arditi arriti shpejt të licencohet me licencat UEFA ‘B’ e UEFA ‘A’, teksa ka përfunduar me sukses kursin për Video-Analist. Sa i përket shkollimit, për Gashin nga Prishtina, duhen cekur edhe studimet e kryera në nivelin Bachelor si dhe studimet që është duke i ndjekur në nivelin Master në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe të Sportit në Universitetin e Prishtinës.

Të gjitha këto suksese e bëjnë me dije pasionin e madh të trajnerit Ardit Gashi pas ndërtimit të një karriere të madhe, të cilës po i paraprin me punë të jashtëzakonshme, niveli i së cilës sa vjen e shtohet.

Pra, ky është Arditi, kryetrajneri i moshave nën 15 vjeç të 2 Korrikut dhe ndihmës-trajneri i ekipit senior të “verdhebluve”.