Ismail Berisha u lind më 16 janar të vitit 1996. Futbolli ishte ëndërr dhe pasion i tij që nga fëmijëria. Kur ishte vetëm 6 vjeç nisi ta realizojë ëndrrën e madhe, në një rrugëtim të gjatë por edhe sfidues. Fillimisht, ai u bë pjesë e Shkollës së Futbollit “Prishtina” e më pas vazhdoi tek shkolla e Flamurtarit, nga ku kaloi në ekipin e seniorëve të 2 Korrikut.

Rrugëtimit prej futbollisti, i erdhi fundit në vitin 2017, pas pesëmbëdhjetë vitesh sfidash e sakrificash. Për arsye personale, Berisha zgjodhi një aventurë të re, duke qëndruar përsëri afër me futbollin. Prej atëherë e deri më sot, ai i është përkushtuar profesionit të trajnerit duke udhëzuar në fushën e gjelbër gjeneratat e reja të këtij sporti.

Përveç që shihet si trajner me potencial të madh, Berisha ka finalizuar suksesshëm edhe studimet Bachelor dhe Master. Ai mban titullin “Master i Edukimit Fizik dhe Sportit”.

Finalizimit të studimeve i kanë paraprirë trajnime e kurse të shumta që ai ka ndjekur me qëllim që ta forcojë edukimin e tij, përfshirë licensimin me licensat UEFA ‘A’ dhe  UEFA ‘B’ tek Federata Shqiptare si dhe certifikimi për Video-Analist. Ai është bursist i Fakultetit të Edukimit Fizik të Universitetit të Prishtinës.

Qoftë si futbollist edhe si trajner, Berisha e ka dëshmuar talentin e tij me suksese të njëpasnjëshme. Në vitet 2011-2017, me fanellën e futbollistit i ka përfaqësuar moshat e reja të Përfaqësueses së Kosovës. Ndërsa si trajner, vlen të përmendet edicioni 2021-2022, edicion në të cilin arriti që me moshat nën 13 vjeç të shpallet nënkampion në nivel të Kosovës si dhe kampion i Regjionit të Prishtinës.

Ismaili, i cili dallohet për karakterin e tij të fortë, vlerësohet lartë nga klubi “verdheblu”. Ai njihet si punëtor i madh, këmbëngulës në qëllimet e tij dhe shumë i afërt me futbollistët e rinjë.