Paraditen e ditës së sotme, në ambientet e FC 2 Korriku janë kryer testimet e performancës sportive për futbollistët e ekipit senior “verdheblu”, në krye me Profesorin e nderuar, z. Faton Tishukaj, njëkohësisht pronar i kompanisë “Improve”.

FC 2 Korriku, që më kompaninë lidere në testimin e perfomacës sportive ka bashkëpunim tash e disa vite, ka vendosur që bashkëpunimin me “Improve” ta thellojë edhe më tej, kësaj radhe për t’i testuar vet futbollistët, testime këto që nisën nga ekipi senior i drejtuar nga kryetrajneri Besim Ademi.
Përmes pajisjeve moderne dhe protokolleve rigoroze të testimit, “Improve” do të arrijë që klubit t’i ofrojë njohuri të paçmueshme për pikat e forta dhe të dobëta të futbollistëve, njohuri të cilat natyrshëm do të ndihmojnë në vazhdim në marrjen e vendimeve nga shtabi teknik i skuadrës në lidhje me stërvitjen dhe zhvillimin e futbollistëve.

Prof. Tishukaj shkurtimisht për 2korriku.com theksoi se testet e kryera nga kompania “Improve” përshtaten me nevojat specifike të secilit lojtar, për faktin kryesor se secili futbollist apo thënë ndryshe atlet, është unik.

Po ashtu, i lumtur me testet e kryera ditën e sotme u shfaqë edhe trajneri Ademi, i cili shpreson se me këto teste do të arrihen informatat e duhura që do të ndihmojnë për të zhbllokuar potencialin e plotë të futbollistëve.






