Kampionatet në kuadër të Regjionit të Prishtinës për moshat U9 dhe U11 janë mbyllur në fundjavën e datave 04/05 Shkurt, ditë këto kur edhe janë bërë të ditura thuajse të gjitha ekipet që janë kualifikuar për në garat e mëtejme të “Play-Off”-it në Regjionin e Prishtinës.
Shkolla e Futbollit “2 Korriku” nuk ka lënë vend për befasi as këtë edicion, teksa kalimin për në “Play-Off” e ka siguruar me tri grupe; me grupet “A” dhe “B” të moshave nën 9-vjeç dhe me grupin “A” të moshave nën 11-vjeç.
Skuadrat “verdheblu” të 2 Korrikut shkëlqyen në garat e rregullta; me dy grupet, “A” dhe “B”, të nën 9-vjeçarëve, ekipet nga Arbëria arritën plot 11 fitore, 2 barazime dhe pësuan 5 humbje; shënuan 66 gola e pësuan 31 sosh. Në anën tjetër, me dy grupet e moshave nën 11-vjeç, “verdheblutë” arritën 10 fitore, 2 barazime dhe u mposhtën 6 herë; arritën që t’i tundin rrjetat e kundërshtarëve plot 65 herë, por edhe iu tund rrjeta plot 53 herë.
Por, tani përkundër statistikave dhe çdo gjëje, fokusi i skuadrave të drejtuara nga Liridon Avdullahu e Florentina Kallaba vihet tërësisht në drejtim të sfidave të radhës, atje ku vlen të përmendet se në total, si nga kampionatet e moshave U9, ashtu edhe nga ato të moshave U11, do të kualifikohen nga gjashtëmbëdhjetë skuadra për në fazën e mëtejme të garave, skuadra këto për të cilat ditëve në vijim do të hedhet short për rrethin e parë të ndeshjeve në kuadër të “Play-Off”-it.






