Nuk kishte sesi ndryshe, përveç se viti 2022 të mbyllej me diçka speciale për vashat e 2 Korrikut, ashtu siç edhe ato vet janë.
E ku mund të ketë mënyrë më të mirë se sa një vit i madh e historik për ekipin e vajzave të 2 Korrikut të mbyllet me një ndeshje ndërmjet vajzave dhe heronjëve të tyre, që padyshim se janë edhe përkrahësit më të mëdhenj të tyre, e ata janë pa fije dyshimi prindërit.
Ndeshja ‘Prindërit’ – ‘Vajzat’ nuk zhgënjeu për nga spektaktli, madje pati “luftë” të madhe si asnjëherë më parë brenda vijave të fushës së blertë të futbollit, mirëpo fundi i “ndeshjes më të rëndësishme të vitit” erdhi me një rezultat jo edhe aq të thellë, i cili ndoshta do t’u japë shpresë prindërve “verdheblu” që sërish ndonjë herë tjetër të dalin në fushë para vajzave fantastike të 2 Korrikut.
Me mbarimin e ndeshjes nuk u mbyll gjithçka; pas aktivitetit sportiv pati kohë për relaks e fjalime të ndryshme, të cilat vendosën pikën mbi i në një koktej rasti të organizuar në ambientet e restorantit të klubit nga Arbëria.
Duke i përshëndetur e falënderuar të gjithë të pranishmit në restorant, fillimisht mori fjalën menaxheri i skuadrës së vajzave të KF “2 Korriku”, Sedat Limani. Ai tha fjalët më të mira të mundshme për vajzat “verdheblu”, për prindërit e tyre e të gjithë ata që funksionimin e ekipit të vajzave e kanë bërë e vazhdojnë ta bëjnë të mundur.
Tutje, pak fjalë pati edhe drejtori i klubit prishtinas, Shaban Baholli. Ai u premtoi vajzave që do t’u qëndroi afër gjithmonë dhe se është krenar me atë që ato kanë arritur deri tani si vajza të reja në sportin e futbollit.
Krejt për fund, por jo nga rëndësia, fjalë mirënjohëse pati nga prindërit e vajzave, të cilët edhe një herë potencuan se do t’u qëndrojnë afër e do t’i përkrahin përherë vajzat e tyre e klubin nga Prishtina në rrugën e nisur kohë më parë drejt majave të futbollit.
Me t’u mbyllur fjalimet, koha ishte për festë. Ashtu edhe ndodhi. Prindër e fëmijë, drejtues klubi e trajnerë, shijuan koktejin e rastit e kaluan çaste të bukura përmbyllëse të një viti fantastik siç doli të jetë 2022-ta.