FC 2 Korriku njofton opinionin sportdashës se ka arritur marrëveshje me fubollistin Albinot Kozmaqi për edicionin 2024/25, futbollist i cili do t’i mbrojë ngjyrat “verdheblu” për herë të parë në karrierë.
Mesfushori 24-vjeçar vie tek 2 Korriku pas aventurës së fundit si futbollist i ekipit nga Shtimja, KF Vjosa, ekip në të cilin u aktivizua në tri vitet e fundit dhe garoi në Ligën e Dytë dhe në Ligën e Parë të futbollit kosovar.
“Është ambient shumë i mirë për punë, dhe kjo më ka shtyrë që ta pranoi ofertën e një klubi si 2 Korriku. Kam gjetur disa ish-bashkëlojtarë dhe kjo besoj se do të më ndihmojë në ambientimin sa më të shpejtë me skuadrën. Kryesia, stafi teknik, lojtarët dhe të gjithë në klub më kanë pritur jashtëzakonisht mirë, e unë këtë dua të ua shpërblej ashtu siç më ka hije, me paraqitjet në fushë. Përpara na pret punë e madhe dhe rrugë e gjatë, por kam shumë shpresë se do ja dalim në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha Kozmaqi në intervistën e tij të shkurtër pas prezantimit si futbollist i ekipit nga kryeqyteti.
Albinot Kozmaqi është i lindur më 12.01.2000, aktivizohet si mesfushor dhe në të kaluarën ka mbrojtur edhe ngjyrat e Flamurtarit, klub në shkollën e të cilit është rritur si lojtar.
Mesfushori në fjalë ka filluar menjëherë me stërvitje me 2 Korrikun dhe është vënë nën urdhërat e trajnerit Besim Ademi, i cili e prezantoi me ekipin dhe i uroj shëndet e suksese në këtë eksperiencë të re për të si futbollist.