FC 2 Korriku e ka nisur me humbje kampanjën 2024/25 në Raiffeisen Ligën e Parë të futbollit në Kosovë, me një disfatë që erdhi në ‘frymën’ e fundit, e që thënë të drejtën nuk u meritua nga djemtë verdh’ e blu, që sot dhuruan paraqitje dinjitoze, me angazhim të madh që nga minuta e parë.
Të mirat e takimit të sotëm ishin se u zhvillua lojë e fortë, pa kalkulime, me aksione e duele, që jo shpeshherë shihen në futbollin vendor, sidomos në ndeshjet hapëse të kampionatit. Prishtina e Re në njërën anë si skuadër favorite në grupin ‘B’ të Ligës së Parë, dhe 2 Korriku një skuadër me futbollistë të rinjë e shumë punëtorë në anën tjetër, bënë që ata qindra shikues të pranishëm të kënaqen me aq sa panë nga fusha e blertë e stadiumit ‘Xhemail Ibishi’.
2 Korriku tani fokusin e kthen kah shtëpia, aty ku të shtunën e 24 Gushtit e pret skuadrën e rikthyer në rangun e dytë të garave, Fushë Kosovën, skuadër kjo që ndeshjen e parë të kampionatit e zhvillon nesër po në stadiumin e 2 Korrikut kundër Dinamos nga Ferizaj.
Raporti minutë pas minute:
9’ – Rivënie këndore e fituar nga vendësit, që tentojnë me Astrit Berishën, i cili pa vetën në pesë-metërsh por nuk shënoi me kokë, gjuajti lartë mbi portë, ani pse ishte në rast tejet të volitshëm për gol;
24’ – 2 Korriku fiton goditje të lirë, diku afro 25 metra larg portës kundërshtare. Godet Jehon Stublla, por pa shumë mund ndalet nga Bislimi i vendësve, pasiqë goditja ishte qëndrore dhe jo shumë e fortë;
33’ – Verdh’ e blutë e shohin veten sërish në sulm, kësaj radhe nga krahu i majtë, aty ku i riu Maqedonci, një nga më të mirët në ndeshje, krijon hapësirë dhe godet nga një pozitë jo fort e lakmueshme, me topin që mezi ndalet nga portieri Bislimi;
47’ – Luhej minuta e dytë shtesë e pjesës së parë; mesfushori vendës Ademi shërbehet mirë në zonë dhe nga afërsia kërkon golin me kokë, por gjuajtja del të jetë e lehtë për portierin Ajeti;
48’ – Prishtina e Re vazhdoi me ngulm ta kërkoj epërsinë në fundin e pjesës së parë; sërish në skenë doli shtatgjati Berisha, që goditi për mrekulli me kokë nga afro dhjetë metra largësi, por në skenë doli sërish portieri Arnis Ajeti, që me një super-pritje i tha ‘jo’ golit të epërsisë për ekipin vendës. Me kaq u mbyllë pjesa e parë;
50’ – Edhe në fillimin e pjesës së dytë u pa një dominim i lehtë i vendësve, me rrezikun e parë që erdhi pesë minuta pas startit të pjesës së dytë nëpërmjet Dobratiqit, që gjuajti lehtë dhe pa rrezikuar shumë portën e Ajetit;
62’ – Për ta krijuar rastin më të mirë në ndeshje për ekipin mysafir u kujdes i transferuari Albinot Kozmaqi, që dha pasim maestral për Maqedoncin, i cili shkoi shumë anash portës së Bislimit, dhe po nga ky u ndalë pas një goditjeje që ishte maksimumi që mund të bëhej nga ajo pozitë shumë e vështirë;
80′ – 2 Korrikun gjen golin, por fat i keq për Maqedoncin që ndalet për pozitë jashtë loje. Goli nuk vlen;
85’ – Teksa ndeshja shkonte drejt fundit, edhe emocionet sa vinin e shtoheshin, sidomos në minutën 85’ kur Bajrami i nikoqirëve doli përballë Ajetit, goditi bukur, por topi që të gjithë menduan se po shkonte për ta prekur rrjetën, u ndalë nga pingulja e majtë e topi u kthye në duartë e portierit Ajeti;
90’ – Momenti i së vërtetës erdhi – një goditje e lirë e fituar në anën e majtë, e ekzekutuar mjeshtërisht nga Jetullahu i Prishtinës së Re, bëri që të goditet pingulja e djathtë e topi të kthehet tek Berisha, që nga më pak se pesë metra afërsi gjeti golin në portën e boshatisur – gëzim i jashtëzakonshëm në kampin vendës;
93’ – 2 Korriku nuk pati se çka të mendoj më, por iu desh që të hidhet i tëri në sulm, çka ishte gati të rezultojë me sukses, por goditja me kokë e Gashit pas harkimit nga Statovci ishte jo shumë e rrezikshme për portierin Bislimi, me portën e tij që mbeti e paprekur;
95’ – Pas nëntëdhjetë e pesë minutave lojë, gjyqtari Hasanaj dha shenjë për përfundimin e ndeshjes, me vendësit që arkëtuan pikët e plota nga një takim mjaft i vështirë me rivalët lokalë të 2 Korrikut.
Raiffeisen Liga e Parë, Grupi ‘B’; Java e Parë
KF Prishtina e Re v. FC 2 Korriku 1-0
Golashënues: Astrit Berisha 90’
Gjyqtarët e ndeshjes: Rrezart Hasanaj (Prishtinë), Florim Jakupi (Prizren), Fitore Govori (Prishtinë), Taulant Haxhimustafa (Rahovec)
Delegat i ndeshjes: Enver Duriqi (Lipjan)
Vëzhguesi i i gjyqtarëve: Nexhmedin Mehana (Vushtrri)
Formacioni startues i Prishtinës së Re: Egzon Bislimi, Fatlind Azizi, Dardan Jashari, Ermal Vitija, Adonis Zeqiri, Samir Sadriu (kap.), Vigan Ademi, Agustin D. Rojas, Astrit Berisha, Lorik Dobratiqi, Bleon Sekiraqa. Kryetrajner: Elon Berisha.
U inkuadruan edhe: A. R. B. Zoungrana 60’, Labinot Jetullahu 60’, Flamur Bajrami 70’, Lis Behrami 70’, Alket Bajrami 84’.
Formacioni startues i 2 Korrikut: Arnis Ajeti, Rron Statovci, Agron Beqiri, Nderim Abdullahu, Jehon Stublla, Andi Oruqi /kap./, Ideal Abdullahu, Albinot Kozmaqi, Redon Bejta, Ardit Gashi, Arlind Maqedonci. Kryetrajner: Besim Ademi.
U inkuadruan edhe: Granit Latifi 46’, Gneilpekan M. Camara 60’, Milot Hyseni 72’, Diar Zhdrella 90’+, Dion Demolli 90’+