FC 2 Korriku njofton opinionin se ka arritur marrëveshje me mbrojtësin 22-vjeçar, Albin Stubllën, për t’u bërë pjesë e skuadrës për edicionin e ri garues.
Me të nënshkruar marrëveshjen me klubin nga kryeqyteti, Stublla është bashkuar me ekipin dhe është vënë nën urdhërat e trajnerit Besim Ademi.
“Ndihem shumë mirë që jam bashkuar me 2 Korrikun. Është klub me traditë dhe vend i duhur për t’u zhvilluar në karrierë. I falënderoj të gjithë për besimin ndaj meje, e ndihmën time shpresoj se do ta japë në secilin rast që do të më jepet në fushën e lojës”, theksoi Stublla shkurtimisht.
Për ardhjen e mbrojtësit 22-vjear foli edhe drejtori sportiv, Drilon Baholli: “Albinin e njohim qysh moti, që nga kategoritë e reja. Ka potencial të jashtëzakonshëm dhe besoj se do të luaj rol kyç në ekip. Është djalë i ri dhe shumë punëtor, e kjo natyrshëm se veçse na ndihmon në shtimin e vlerave në skuadrën tonë për edicionin e ri.”
Albin Stublla është lindur më 27.05.2002, aktivizohet në qendrën e mbrojtjes; si fëmijë është rritur në SHF Kurda dhe ka luajtur me moshat U15, U17 e U19 të Kosovës, duke treguar vlerat e tij prej futbollisti që në moshë të hershme.