Football Club 2 Korriku njofton për largimin e trajnerit Visar Plakaj, i cili tash e tutje karrierën në sportin e futbollit do ta vazhdoj jashtë vendit, më saktësisht në shtetin e Gjermanisë.
Visari, i cili kaloi plot tetëmbëdhjetë muaj te Football Club 2 Korriku, po largohet me kokën lartë pas një pune të jashtëzakonshme të bërë me gjeneratat e reja të shkollës së klubit nga kryeqyteti.
Trajneri Plakaj, për aq sa qëndroi te 2 Korriku, arriti që pos punës së madhe të bërë, të fitoj edhe trofe siç është trofeu i kampionit të Kosovës me moshat U15, me gjeneratat 2006/07. Sukses tjetër i arritur nga trajneri ishte edhe fitimi i titullit kampion në Regjionin e Prishtinës në edicionin 2021/22, po me moshat U15, por kësaj radhe me gjeneratat 2007/08.
Visarin, pos si punëtor të madh, familja “verdheblu” do ta kujtoj edhe për sjelljet e tij të jashtëzakonshme, virtytet e larta e angazhimin e pashoq, ku tërë përvojat e tij i shfrytëzoi për të ngritur sa më shumë nivelin e futbollistëve të shkollës “verdheblu”.
Përpos fjalëve falënderuese, të gjithë nga Football Club 2 Korriku, Visarit i urojmë shëndet dhe shumë suksese në karrierën e tij, ashtu siç ai i meriton.
Përherë falënderues ndaj teje, Visar!