Humbja e javës së kaluar në Ferizaj ka bërë që 2 Korriku të shkojë në plot pesë xhiro pa fitore; kjo gjë natyrshëm se ka shqetësuar ekipin, që me seriozitetin më të madh ka nisur punën për të kërkuar këndelljen në stadiumin e rivalit lokal, “Xhemail Ibishin” e KF Flamurtari.
2 Korriku deri tani ka siguruar 12 pikë dhe tash e disa javë pozicionohet në vendin e pestë, teksa fitoren e fundit e kujton që në ndeshjen e xhiros së gjashtë, kur si vendës mposhtte Vllazninë nga Pozherani.
Për rezultatet dhe jo vetëm, para ndeshjes derbi kundër Flamurtarit, për 2korriku.com ka pasur disa fjalë nga këmbëshpejti Enes Duraku, i cili ka theksuar besimin e tij që ka tek ekipi, dhe po ashtu ka treguar se çka pret që nga ndeshja e nesërme.
Muajtë e parë në klubin e 2 Korrikut
“Kanë qenë muaj interesantë. Jam duke shijuar një eksperiencë të re, shumë të bukur, nga e cila po mësoj çdo ditë e më shumë. Tash kemi arritur te një fazë interesante e kampionatit, të cilën po punojmë që ta kalojmë si është më së miri.”
Rezultatet e xhirove të fundit në kampionat
“Lirshëm mund të shprehem se asnjëri nga ne në ekip nuk jemi të kënaqur me këto rezultate. Ne i dimë kapacitetet tona dhe e dimë se nuk meritojmë kaq pak sa kemi marrë në këto ndeshje të fundit. Situatat kanë qenë prej më të ndryshmeve me të cilat jemi përballur deri më tani, por asnjë nga këto rezultate nuk arsyetohet. Për këtë shkak, e kemi ulur kokën dhe kemi vazhduar e po vazhdojmë me punë.”
Rendimenti me 2 Korrikun për sa i përket golave dhe asisteve
“Edicionin e kam nisur shumë mirë, madje në një mënyrë që as nuk e kisha menduar se do të vinte si e tillë. Por, për fatin tim të keq këtë gjysmë-stinor kam hasur paksa në disa shqetësime që në disa ndeshje më kanë mbajtur jashtë, por tani të gjitha kanë kaluar dhe jam i gatshëm që ta ndihmojë ekipin me aq sa kam forcë. Detyrë e imja është që të shënoj e të bëj çdo gjë që është në të mirë të ekipit, prandaj edhe po ia kërkoj vetes me ngulm që të kthehem në gjendjen time optimale.”
Mesazhi për duelin me Flamurtarin
“Do të jetë ndeshje interesante. Flamurtari ka treguar se di të jetë skuadër e rrezikshme, prandaj ne do t’i marrim masat e nevojshme që në fund të jemi ne ata që do t’i gëzojmë pikët. Urojë që gjithçka të shkojë në rregull dhe të na prijë e mbara.”