Raporti i ndeshjes Flamurtari – 2 Korriku

2 Korriku nuk po e gjen dot “rrugën” për të dalë nga kriza e tmerrshme që e ka kapluar në këtë pjesë të edicionit garues. Këtë e vulosi sot edhe ndeshja me Flamurtarin, nga e cila ekipi “verdheblu” meritoi të paktën një pikë, por që sërish fati nuk ishte me të.

Duelin e shumë-luftuar në kryeqytet sot e fitoi Flamurtari, me shumë fat dhe me dy penallti, të akorduara nga një për pjesë. Në fakt, vendësit lehtë kanë mundur që ta kenë edhe penalltinë e tretë në këtë takim, mirëpo rastin tek Wisdom në pjesën e dytë nuk e konsideroi për penallti gjyqtari kryesor Kujtim Krasniqi, i cili sot ka treguar se nuk është në gjendje të menaxhojë një ndeshje të nivelit të tillë, në të cilën toleroi gjithçka për vendësit, duke filluar nga zhagitjet e tyre të panumërta e më pas sharjet brenda fushës, të cilat u ndëgjuan jo vetëm nga futbollistët e akterët tjerë brenda vijave, por edhe nga shikuesit, por për çudi, Krasniqi me ndihmësit e tij vendosën që të vazhdojnë me ndeshjen, e pas saj u arysetuan me thënien e zakonshme: “nuk kam ndëgjuar asgjë”.

Sidoqoftë, ndonëse u përdorën këto fjalë për gjyqtarin Krasniqi, KF 2 Korriku nuk pretendon se nga ndeshja e sotme ka dalë i dëmtuar në raste të caktuara, mirëpo thekson nevojën e madhe për përmirësim tek një pjesë e gjyqtarëve, të cilët përpos që po lejojnë që nga një stadium, ku ka të rritur e fëmijë, të dalin shfaqje të tmerrshme për veshët e sytë e atyre pak shikuesve që vazhdojnë të ndjekin ndeshjet nëpër stadiumet vendore, po ashtu të njëjtit po lejojnë që të fyhen futbollistët dhe jo vetëm, gjë katastrofale, e papranueshme për klubin “verdheblu”, që humbjet në terrene sportive i pranon me sportivitet, por nuk lejon asnjëherë që të fyhet dikush nga kjo familje e madhe sportistësh.

Prandaj, këto fjalë nga 2 Korriku në këtë raport të ndeshje vijnë nga zhgënjimi i madh, jo i rezultatit, por i atyre rrethanave, që lehtë ishin të evitueshme, të cilat ia prishën hijeshinë e asaj që futbollistët treguan në fushën e lojës, që ndoshta jo për cilësia, por për nga dëshira dhanë shumë nga vetja e tyre.

Por, me shpresën se këto gjëra nuk do të ndodhin më kurrë, le të kthehemi tek rrjedha e ndeshjes; Flamurtari e nisi shumë mirë takimin. Wisdom, në minutën 4’ fitoi penallti pasi u pengua nga portieri Neziri, të cilën në rrjetë e dërgoi Ilir Pollomi.

Goli i shënuar “ngjalli” ekipin mysafir, që golin e barazimit e gjeti pas vetëm 14 minutave, kur harkimin e Camaras e goditi me kokë Enes Duraku, i cili në rastin e parë u ndalë nga portieri Sinani, por topin e kthyer e goditi Ardit Gashi dhe e dërgoi në rrjetë me lehtësi për shkak të gjatësisë së tij.

Dy golat e shënuar ishin e tëra në këtë fraksion të lojës, me “luftën” e madhe që u zhvillua në mesin e fushës, dhe pa rrezikime për portierët Neziri dhe Sinani.

Pjesa e dytë ishte shumë më “e gjallë”; fillimi ishte pakëz më i qetë, derisa pak minuta më pas kontrollin e mori 2 Korriku, që shumë lehtë ka mundur të shënojë, por goditjet e Hamidit e Bejtës u ndalën nga portieri Sinani, i cili si duket edhe mbeti i lënduar nga këto raste, por përsëri vazhdoi deri në fund, gjersa kohë pas kohe shfrytëzoi lëndimin e tij edhe për vonesë të lojës, por edhe për t’u qetësuar.

Rastet e shpërdoruara i kushtuan 2 Korrikut, sepse vendësit arritën që ta fitojnë një penallti tjetër në minutën 76’, në të cilën nuk gaboi Wisdom, që me goditje të lehtë për toke realizoi për 2:1.

Goli i dytë i dha paksa siguri vendësve, por kjo nuk e demoralizoi ekipin nga Arbëria, që sërish e pa veten në raste të mira shënimi. Inkuadrimi i Kelmendit (84’) i bëri mirë ekipit, sepse ishte pikërisht ai që në dy raste goditi fuqishëm, por drejt e në duart e portierit “kuqezi”, i cili njësoj e ndali edhe goditjen me kokë të Albert Stubllës në minutën 96’.

Deri në fund Flamurtari iu bëri ballë të gjitha këtyre përpjekjeve, dhe jo me më shumë meritë, por me më shumë dëshirë arkëtoi tri pikët e radhës.

Pas kësaj ndeshje, 2 Korriku vazhdon në kuotën e 12 pikëve, teksa vëmendja ka kaluar tek dueli me Ramiz Sadikun, që zhvillohet të shtunën e ardhshme, dhe pas të cilit ekipi do të shkojë në pushimin e ndeshjeve të kombëtareve, që do të zgjasë deri më 22 Nëntor.

Viva Fresh Liga e Parë; Java X

Flamurtari – 2 Korriku 2:1 (1:1)

Golashënues: Ilir Pollomi 4’ (pen.), Joshua Wisdom 77’ (pen.); Ardit Gashi 19’

Gjyqtarët e ndeshjes: Kujtim Krasniqi (Prishtinë), Ramadan Bekteshi (Prishtinë), Valmir Beqa (Kaqanik)

Delegati e ndeshjes: Faton Sejdiu nga Prishtina

Vëzhguesi i i gjyqtarëve: Afrim Morina nga Prizreni

Formacioni startues i Ferizajt: Fatos Sinani, Nderim Jashari, Leutrim Kadriu, Veton Kabashi, Flamur Gashi, Korab Hasanj /kap./, Arbër Mustafa, Qlirim Berisha, Elvis Ahmeti, Ilir Pollomi, Joshua Wisdom. Kryetrajner: Liridon Leci.

U inkuadruan edhe: Sato Kazutaka 46’, Artur Da Silva Ataide 46’, Shpresim Prestreshi 64’, Triumf Ahmeti 85’, Sëelhile Kabelo Sigudla 90’+.

Formacioni startues i 2 Korrikut: Flamur Neziri /kap./, Enes Duraku, Albert Stublla, Abit Salihu, Agron Beqiri, Jehon Stublla, Edon Zeçiri, Gneilpekan M. Camara, Ideal Abdullahu, Ardit Gashi, Miftar Avdiu. Kryetrajner: Besim Ademi.

U inkuadruan edhe: Londrit Hamidi 46’, Redon Bejta 60’, Milot Hyseni 71’, Ylli Prekopuca 71’, Shqiprim Kelmendi 84’.

Munguan në ndeshje: Riad Jashari (i lënduar), Andi Oruqi (akumulim i kartonëve).

Publikime të ngjajshme

FC 2 KORRIKU

Historiku i Klubit

Klubi i Futbollit “‘2 Korriku” është themeluar në vitin 1957, me emrin e atëhershëm Klubi i Futbollit “Proleteri”. Në vitin 1990, klubi ndërroi nomenklaturën, duke marrë emër të ri, Klubi i Futbollit “2 Korriku”, emër të cilin e bartë edhe sot.

Skuadra e Femrave