Shkolla e Futbollit “2 Korriku” ka përfunduar me sukses edhe një cikël të garave në Regjionin e Prishtinës, kësaj radhe ka mbyllur stinorin vjeshtor me epitetin e kampionit vjeshtor në Ligën kryesore për moshat nën 15-vjeç në kryeqendër.
10 fitore e 1 barazim është bilanci fantastik i ekipit të drejtuar nga Ismail Berisha, që për më tepër ka shënuar plot 36 gola dhe ka pranuar vetëm 6 sosh, duke arritur që të kryesojë i vetëm me 4 pikë më shumë se vendi i dytë në renditje.
“Djemtë e kanë dhënë maksimumin, përkundër që asnjëherë nuk i ngarkojmë me aspektin e fitimit të titujve apo arritjen e rezultateve me çdo kusht. Jam krenarë për faktin se ata po rriten si futbollistë, dhe kjo është primare si për mua, si për klubin. Është gjë e mirë të shpërblehesh në fund, por nuk do të kënaqemi me kaq, sepse ka shumë punë për t’u bërë në këtë edicion. I përgëzojë futbollistët për angazhimin e dhënë, si dhe u jam mirënjohës bashkëpuntorëve të mi në klub”, theksoi Ismail Berisha, trajneri i rekordeve në FC 2 Korriku, që ndonëse është vetëm në vitin e tij të tretë si kryetrajner, po shënon suksese të njëpasnjëshme.
Kujtojmë se 2 Korriku U15 stinorin vjeshtor e mbylli me një fitore bindëse në Drenas përballë Feronikelit ’74, ku shënoi plot 6 gola ndërsa nuk pësoi asnjë.






