Ditën e sotme, në stadiumin ‘2 Korriku’, janë ndeshur në duele miqësore me moshat nën 17-vjeç dhe ato nën 19-vjeç, 2 Korriku nga Prishtina e Kosovës e Shkëndija nga Tetova e Maqedonisë së Veriut.
Takimet u zhvilluan në kushte mjaft të mira për lojë, me ekipet që shfrytëzuan këto ndeshje për ta parë veten para fillimit të stinorit pranveror në kampionatet respektive, atë kosovar dhe maqedonas.
Ndeshja e parë që u zhvillua ishte ajo e moshave U17; në këtë takim u aktivizuan kryesisht futbollistët e lindur në vitin 2008, të cilët ‘luftuan’ deri në fund dhe treguan futboll të bukur para dhjetra shikuesve që u mblodhën për t’i përcjellur. Takimi përfundoi me rezultatin 7:2 në të mirë të vendësve ‘verdheblu’.
Ndeshja tjetër, ajo e juniorëve, po ashtu prodhoi shumë gola, me ç’rast 2 Korriku sërish fitoi bindshëm, kësaj radhe me epërsi prej gjashtë golash, 8:2. Edhe në këtë duel u aktivizuan të gjithë futbollistët nga të dy trajnerët, të cilët shfrytëzuan në maksimum këtë takim për të parë gjendjen e ekipeve pak ditë para nisjes së fazës së dytë të garave.
Për moshat U19 dhe U17 të 2 Korrikut, këto takime janë të fundit para stinorit pranveror, që nis të shtunën e ardhshme, më 2 Mars.
Pas këtyre ndeshjeve me karakter miqësor, FC 2 Korriku shfrytëzon rastin që FC Shkëndija ta falënderojë për rrugën e marrë deri në qytetin tonë, Prishtinën, vetëm që t’i zhvillojmë ndeshjet. Njëkohësísht, klubi kryeqytetas shprehet i kënaqur për faktin se po vazhdon me thellim të bashkëpunimeve me ekipe me renome si Shkëndija nga Tetova.