Klubi kryeqytetas, FC 2 Korriku sot ka zhvilluar ndeshjen e dytë radhazi si mysafir në Raiffeisen Ligën e Parë, kësaj radhe ndaj Vushtrrisë në stadiumin “Ferki Aliu”, nga ku doli i mposhtur me rezultatin e thellë 3-0.

Tre gola për vendësit e asnjë për mysafirët nuk ishte epilogu më real i kësaj ndeshjeje, mirëpo fundi i takimit tha një gjë të tillë. Themi se nuk ishte real pasiqë ekipi verdh’ e blu i pati mundësitë e veta për ta dënuar skuadrën vushtrriase, por që nuk ia doli, ani pse goditi dy herë pingulen e një herë transverzalen, por topi nuk deshi të futet në rrjetë.

Në anën tjetër, Vushtrria si ekip pretendent për kreun e tabelës, tentoi në çdo formë që të arrijë tek fitorja, që në fakt e arriti, më shumë mund, pasiqë qetësinë e fitoi tek në fundin e ndeshjes, kur u “ç’lirua” me golat e Statovcit dhe Kastratit.

Ndeshja e sotme u zhvillua në terren mjaft të rënduar nga reshjet e shiut, por në të cilën ishte e mundur që të zhvillohet futboll, ani pse skuadrat nuk është se dhanë shumë nga loja e bukur në sytë e qindra futbolldashësve nga Vushtrria që ishin të pranishëm në stadium.

2 Korriku sot u tregua kundërshtar shumë i fortë për Vushtrrinë, duke u treguar si i barabartë gjatë tërë kohës e duke mos lejuar dominim, por që për fat të keq kësaj paraqitjeje ia humbën vlerën golat e pranuar, që më shumë ishin nga pakujdesia se sa nga merita e kundërshtarëve.

Duhet përmendur se në takimin e sotëm mungoi gjykimi cilësor i ndeshjes, sidomos nga gjyqtari kryesor dhe asistenti i parë, të cilët nuk treguan përformancë që duhet të shihet në duele të tilla dhe për rrjedhojë ndikuan shumë në rrjedhën e lojës, sidomos tek faulet e sinjalizuara dhe pozicionet jashtë loje, që thënë të drejtën nuk është se lanë që të zhvillohej shumë futboll. Në fakt, nuk munguan as rastet diskutabile, sidomos ai i minutës 48’, kur futbollisti mysafir Redon Bejta tentoi të shënoj por u ndalë nga portieri Shala i cili në “syrin” e mysafirëve e preku topin jashtë zonës së tij, por që një gjë e tillë nuk u vërejt nga gjyqtari kryesor që la lojën të zhvillohet.

Gjithsesi, përkundër të gjithave, në fund 2 Korriku uroi Vushtrrinë për fitoren, teksa fokusin tanimë do ta kthej kah pushimi dy-javorë i kombëtareve, për t’u kthyer më 19 Tetor 2024 në ndeshje zyrtare, atë ndaj Ramiz Sadikut si vendës, që njëherazi shënon edhe fundin e ciklit të parë të garave në Raiffeisen Ligën e Parë.

FC Vushtrria v. FC 2 Korriku 3-0

Golashënues: Bujar Shabani 24’, Urim Statovci 78’, Bleart Kastrati 90+4’

Gjyqtarët e ndeshjes: Liridon Bunjaku (Podujevë), Albin Ajvazi (Podujevë), Fidan Shala (Pejë), Mentor Ajeti (Prishtinë)

Delegat i ndeshjes: Naser Bunjaku (Gjilan)

Vëzhguesi i i gjyqtarëve: Isa Mustafa (Mitrovicë)

Formacioni startues i Vushtrrisë: Arlis Shala, Ardin Dallku, Jackson F. Silverio, Martin V. Raduloviq, Daut Maxhuni (C), Bujar Shabani, Urim Statovci, Besar Iseni, Erdin Dushi, Drilon Fazliu, Viktor Angelov.  Kryetrajner: Artan Luzi.

U inkuadruan edhe: Dren Ahmeti 46’, Edomnd Likaj 65’, Erjon Morina 78’, Fidan Gërbeshi 78’, Bleart Kastrati 86’

Formacioni startues i 2 Korrikut: Arnis Ajeti, Rron Statovci, Nderim Abdullahu, Albin Stublla, Jehon Stublla, Andi Oruqi (C), Albinot Kozmaqi, Gneilpekan Marius Camara, Redon Bejta, Ardit Gashi, Arlind Maqedonci. Kryetrajner: Besim Ademi.

U inkuadruan edhe: Ideal Abdullahu 56’, Pedro Henrique 56’, Dion Demolli 69’, Granit Latifi 69’, Lis Zhubi 84’

Lini një Përgjigje