Pa kaluar ende viti i tretë i pjesëmarrjes në gara zyrtare të organizuara nga Federata e Futbollit e Kosovës, ekipi i femrave të FC 2 Korriku ka radhitur shumë suksese, si në aspektin individual të futbollisteve, ashtu edhe në atë grupor.

Duke filluar nga kualifikimi në gjysmë-finalet e “Play-Off”-it të edicionit 2023/24 me moshat U17, për të vazhduar me ftesat, tashmë të zakonshme, nga ekipet përfaqësuese të Kosovës për vajzat verdh’ e blu, ka mjaft shumë për t’u thënë për skuadrën kryeqytetase, që çdo ditë po rritet e po fiton në të gjitha aspektet.

Një projekt i nisur me qëllim të socializimit të vajzave dhe dhënies së mundësive për kthimin në realitet të ëndërrës së tyre në futboll, po del të jetë shumë i suksesshëm, jo vetëm për nga puna që po bëhet brenda klubit e skuadrës, por edhe në aspekte tjera, siç një ndër to është ai i bashkëpunimit me “shtëpinë” e futbollit kosovar, FFK-në, e po ashtu edhe me klubet tjera, që qëllim primar e kanë zhvillimin e masovizimin e futbollit të vajzave.

Pjesëmarrja në projekte si TDS i organizuar nga FFK, e pjesëmarrja në garat e moshave U15/U17 dhe ftesa në ekipet e moshave të reja të kombëtares, pa dyshim se janë elemente vlerësimi për vajzat e reja të 2 Korrikut, që mes tjerash po tregojnë kulturë të lartë sportive e potencial në sportin e futbollit.

“Është fat i madh për neve që brenda grupeve të vajzave kemi shumë talent dhe çdo ditë po shohim se po ka përmirësim. E ardhmja e vajzave vërtetë është e ndritur, sepse ka shumë potencial tek to. Neve na mbetet të ju qëndrojmë afër në çdo kohë dhe ta bëjmë së bashku rrugëtimin e gjatë në futboll”, shtoi kryetrajnerja Florentina Kallaba, e cila është në krye të grupeve të vajzave që nga themelimi i ekipit verdh’ e blu.

FC 2 Korriku ndihet shumë i lumtur që ndodhet në një mjedis të shëndosh sportiv që ka për qëllim motivimin e vajzave të reja dhe angazhimin e tyre në sport, në një sport si futbolli të cilin ato e dashurojnë kaq shumë dhe e ndjekin me pasion të pashoq.

Lini një Përgjigje