Pritja po merr fund, sepse ethet e turneut më të madh ndërkombëtar në Kosovë, International Football Tournament, kanë filluar t’i kaplojnë protagonistët e fushës, që do të kenë përballë vetes kundërshtarë me renome, të fortë e mbi të gjitha, kampionë.
FC 2 Korriku si organizator i ka kryer të gjitha punët organizative dhe tashmë skuadrat veçse kanë filluar të zbarkojnë në tokën kosovare, me turneun që nisjen e ka në të mërkurën e kësaj jave, saktësisht në datën 14 Qershor, kur me fillim në ora 09:00 bëhet hapja e turneut me të ftuar eminentë nga fusha të ndryshme që do të jenë prezent në koktejin e turneut.
Deri tani janë bërë të ditura të gjitha detajet për sa i përket ekipeve, ndarjes së tyre në grupe dhe orareve të ndeshjeve. FC 2 Korriku, FC Ballkani, KF Vllaznia dhe FK Rabotnički përbëjnë grupin “A”, fituesi i këtij grupi do të kualifikohet në finalen e madhe të 18 Qershorit dhe përballë do ta ketë fituesin e grupit “B” që përbëhet nga ekipe si: Beşiktaş J.K., KF Llapi, KF Trepça dhe KF Shkëndija.
Sistemi i turneut do të jetë asisoj që secili ekip do të zhvillojë nga tri ndeshje në fazën e grupeve, nga të cilat do të tentohet fitimi i pikëve maksimale, për të siguruar plasmanin për në finale, apo edhe për në ndeshjen për vendin e tretë, e cila do të zhvillohet ndërmjet ekipit të dytë të grupit “A” dhe ekipi të dytë në renditje të grupit “B”.
14, 15 dhe 16 Qershori do të jenë ditët e dedikuara për ndeshjet e fazës së grupeve, me 17 Qershorin që do të jetë ditë pushimi, për t’u rikthyer më pas në ditën e diel të 18 Qershorit, kur edhe zhvillohen ndeshjet kryesore, ajo për vendin e tretë dhe ajo finale.
“Tanimë ‘topi’ është tek futbollistët, fusha iu takon atyre dhe organizimi është për ta. Le ta tregojnë veten të gjitha ekipet, sepse ne dhe çdo i pranishëm, do të kërkojë spektakël nga ky turne”, theksoi Shaban Baholli, kryesuesi i ekipit organizativ të edicionit të dytë të “International Football Tournament”.






