FC 2 Korriku njofton opinionin se ka mbyllur bashkëpunimin me futbollistin 16 vjeçar, Elvir Gashijan. Marrëveshja është mbyllur me mirëkuptimin e të dyja palëve, duke i hapur rrugë kalimit të futbollistit Gashijan për tek skuadra e Superiores në Kosovë, Llapit.
Klubi prishtinas, ashtu siç ka vepruar përherë me futbollistët e rinjë dhe mundësitë që iu janë ofruar atyre, edhe kësaj radhe ka treguar gjuhë bashkëpunimi, dhe mbi të gjitha, duke e parë dëshirën e futbollistit në fjalë për transferimin tek klubi “llapjan”, ka vendosur që ta miratojë një gjë të tillë, duke shpresuar e besuar se për futbollistin kjo do të jetë lëvizja e duhur në fillet e karrierës prej futbollisti në nivelet profesionale.
Të gjithë nga familja “verdheblu” e falënderojnë futbollistin Gashijan për kontributin e dhënë në skuadrën seniore, juniore, kadete dhe atë pionere, në të cilën edhe iu bashkua shkollës së klubit nga kryeqendra. Djaloshit 16-vjeçar i urohen suksese nga drejtuesit dhe të gjithë në klub, gjithnjë me shpresën se me talentin e tij do të korrë suksese të njëpasnjëshme në vijim.
Faleminderit, Elvir! Klubi nga Arbëria nuk do ta harrojë asnjëherë kontributin tënd me fanelën “verdheblu”!







