Pas vetëm dy xhirosh, 2 Korriku ka arritur që ta marrë fitoren e parë në kampionat, përballë skuadrës së Flamurtarit, rivalit lokal, që edhe sot vërtetoi se është “arrë” e fortë, sidomos në ndeshje të tilla si e sotmja që u “luftua” shumë, por edhe ku u krijuan shumë raste shënimi.
Dy gola nga dy futbollistë të ardhur vetëm një muaj e ca ditë më parë, kanë bërë që 2 Korriku të dalë me kokën lartë nga stadiumi i tij, e ku thënë të drejtën me plot meritë arriti triumfin shumë të mundimshëm, por edhe shumë me rëndësi në këtë nismë të stinorit vjeshtor.

Përpos “luftës” sportive në fushë, futbollistët sot patën edhe një “kundërshtare” – vapën e madhe – që vërtetë i mundoi shumë sot dhe ua pamundësoi që ta japin më të mirën, sidomos në fillimin e ndeshjes kur vapa ishte e jashtëzakonshme – shto këtu edhe faktin se dueli u zhvillua në tapet sintetik.
Ecuria e Ndeshjes/ Ndonëse Flamurtari e nisi shumë më mirë takimin e sotëm, fundi solli rezultat ndryshe. “Kuqezintjë” lehtë kanë mundur të kalojnë në epërsi në minutat 4’, 6’ e 13’, por pritjet e Nezirit të skuadrës nikoqire e edhe ngritja e flamurit për pozicion jashtë loje nga anësori Mustafa në njërën nga rastet e mira për shënim, bën që rezultati të mos ndryshohet. Të paktën jo deri në minutën 33’, kur Ardit Gashi doli në skenë dhe me shumë “mjeshtëri”, me kokë e dërgoi topin prapa shpinës së portierit Andi Thaçi. Hovi i 2 Korrikut doli shumë i suksesshëm, teksa vetëm tre minuta më pas, Andi Oruqi fitoi një top afër zonës së kundërshtarëve, pasoi për mrekulli tek Zeçiri që me thjeshtësi e dërgoi topin në portë dhe i dha epërsinë prej 2:0 ekipit të tij.
Kur 2 Korriku kishte gjithçka nën kontroll, si rrjedhojë e një pakujdesie në zonën e mbrojtjes, Flamurtari arriti që të gjendet mirë dhe të shënoi me Kazutakan për 2:1. Ndodhi kjo në minutën 42’ – pas këtij goli, përveç 5 minutave shtesë, nuk pati diçka më shumë dhe fraksioni i parë u mbyll me rezultatin 2:1.
Pjesa e dytë nuk është se ndryshoi shumë për kah ritmi, me skuadrat që luftën më të madhe e bënin në mesin e fushës, teksa aty-këtu kishte ndonjë rast shënimi, si ai i Sigudlas të Flamurtarit që u bllokua në “limite” nga Agron Beqiri, apo edhe pingulja e goditur nga Redon Bejta i 2 Korrikut, që me shpejtësi arriti që të dalë i vetëm me portën, por që goditja e tij shkoi direkt e në pingule, për çka edhe rezultati mbeti i pandryshuar.
Me tentativat e ekipit myafir për të barazuar, ndeshja u mbyllë dhe kohë më për gola tjerë nuk pati.
2 Korriku tani merr vendin e parë në renditje, të paktën deri nesër, kur edhe do të zhvillohen duelet e radhës së këtij rangu garues.
Xhiroja e radhës 2 Korrikun e sheh sërish në kryeqytet, por kësaj radhe larg “shtëpisë”, në stadiumin e Ramiz Sadikut, me kundërshtar pikërisht këtë skuadër.

Prononcimi i kryetrajnerit Besim Ademi
“E kërkuam shumë fitoren dhe e arritëm, e për këtë mund të them me plot meritë. Kam thënë gjithnjë se ky ekip mund të korrë suksese. Sot ishte ndeshje shumë më e mirë se ajo e javës së kaluar nga ana jonë. Kundërshtari ishte sërish i fortë, por sot reaguam më shpejtë dhe gjetëm zgjidhje më të mira në fushën e lojës. I përgëzoj futbollistët për fitoren e parë.”
Viva Fresh Liga e Parë- Xhiro I
2 Korriku – Flamurtari 2:1 (2:1)
Golashënues: Ardit Gashi 33’, Edon Zeçiri 36’; Sato Kazutaka 42’
Gjyqtarët e ndeshjes: Granit Pacolli, Valon Mustafa, Besart Osmani
Delegati i FFK-së: Dervish Haxhijaj
Vëzhguesi i referimit: Driton Preniqi
Formacioni startues i 2 Korrikut: Flamur Neziri, Riad Jashari (Albion Murturi 89’), Abit Salihu, Agron Beqiri, Milot Hyseni, Andi Oruqi /kap./, Ylli Prekopuca (Shqiprim Kelmendi 46’), Edon Zeçiri (Redon Bejta 66’), Enes Duraku (Albert Stublla 76’), Ardit Gashi, Gneilpekan M. Camara. Kryetrajner: Besim Ademi.
Formacioni startues i Flamurtarit: Andi Thaçi, Nderim Jashari (Getuar Leci 46’), Veton Kabashi, Leotrim Kadriu, Flamur Gashi, Flamur Gashi, Korab Hasanaj /kap./, Arber Mustafa, Ilir Pollomi (Sëelihle Kabelo Sigudla 83’), Çlirim Berisha (Elvis Ahmeti 46’), Sato Kazutaka (Shpresim Prestreshi 67’), Joshua Ëisdom (Lirjon Latifi 67’). Kryetrajner: Liridon Leci.






