Me të gjitha vështirësitë, 2 Korriku ka arritur që të marrë pikë në takimin kampional të së shtunës, madje thënë më mirë i ka lëshuar dy sosh, në nje ndeshje shumë të fortë kundër Vushtrrisë, që golin e barazimit e gjeti vetëm në limitet e ndeshjes.
Ndonëse në mungesë të tre futbollistëve startues dhe zhvillimit të ndeshjes për afro tridhjetë minuta me një lojtar më pak, “verdheblutë” treguan se vlejnë shumë dhe nuk dorëzohen asnjeherë, dhe nëse për diçka e merituan fitoren, atëherë pa dyshim se është karakteri dhe “shpirti” i shfaqur gjatë tërë takimit.
2 Korriku e Vushtrria dhanë një prej “episodeve” më interesante të kohëve të fundit, me duelin që dha duele të forta, katër gola, dy kartonë të kuq, por jo edhe fitues.
Takimi i djeshëm filloi i qetë, me ekipet që kërkuan ta “kuptojnë” më shumë njëra-tjetrën, të paktën deri në minutën 14′ kur Lis Behrami goditi për të parën herë, por priti portieri Ajeti i vendësve.
Kundërpërgjigja e vendësve nuk vonoi, luhej minuta 23′ kur goditja e Edon Zeçirit u devijua, e topi përfundoi prapa shpinës së Përqukut. Gëzim i madh te vëndësit – goli i dha qetësinë e duhur ekipit.
Por, gjërat morën kahje tjetër në fundin e pjesës së parë, kur Fazliu i mysafirëve pa veten një për një me Ajetin dhe e mposhti me goditje të lehtë. Fraksioni i parë u mbyllë baraz.
Me motivimin e marrë pas golit të shënuar, Vushtrria u prit që të hyjë më e “karikuar” në pjesën e dytë, por jo; 2 Korriku sërish gjeti golin, kësaj radhe me Ardit Gashin (goli i tretë për të), që me prekje të lehtë e dergoi topin në rrjetë- u asistua nga mesfushori Edon Zeçiri.
Goli i radhës e motivoi ekipin e Besim Ademit, por gjërat u përkeqësuan në minutën 68′, kur mbrojtësi Milot Hyseni u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, për çka u largua nga loja.
Gjithsesi, ndonëse me një lojtar më pak, 2 Korriku u “mbajtë” mjaft mirë; disa herë madje edhe tentoi me kundërsulme, por pa sukses.
Karton të kuq pati edhe tek mysafirët; futbollisti Arbnor Musa, në minutën 88′, pas ndërhyrjes së rrezikshme në mbrojtësin Valton Ibrahimi mori kartonin e dytë të verdhë- u përjashtua nga loja.
Pas të gjitha këtyre ngjarjeve, kur të gjithë po prisnin që ndeshja të mbyllet me fitoren e 2 Korrikut, në skenë doli sulmuesi Paulo Cezar, që me qetësi pranoi topin e goditi fuqishëm për 2:2- Ajeti tentoi ta ndalë, por as prekja e tij nuk mjaftoi.
Pas golit më raste nuk pati, ndeshja u mbyllë me shifrat 2:2; të dyja ekipet fituan nga një pikë.
Tani, me t’u mbyllur xhiroja e tetë, ekipet do të shkojnë në pushim dy-javor për shkak të ndeshjeve të kombëtareve, për t’u kthyer më 21 Tetor.
Viva Fresh Liga e Parë; Java VIII
2 Korriku – Vushtrria 2:2 (1:1)
Golashënues: Edon Zeçiri 23′, Ardit Gashi 58′; Drilon Fazliu 45’+, Paulo Cezar 90′
Delegati e ndeshjes: Granit Koci nga Skenderaj
Vëzhguesi i i gjyqtarëve: Selami Haziri nga Gjilani
Formacioni startues i 2 Korrikut: Arnis Ajeti, Jehon Stublla, Agron Beqiri, Abit Salihu, Milot Hyseni, Andi Oruqi /kap./, Gneilpekan M. Camara, Edon Zeçiri, Londrit Hamidi, Ardit Gashi, Redon Bejta. Kryetrajner: Besim Ademi.
Formacioni startues i Vushtrrisë: Drilon Perquku, Edon Pasoma, Leuart Avdyli, Ardi Shala, Rron Statovci, Lis Behrami, Dior Zabërgja, Daut Maxhuni /kap./, Taulant Avdyli, Landrit Rama, Drilon Fazliu. Kryetrajner: Suad Keçi.