Fundjava që po vie do t’i kushtohet e tëra xhiros së tetë të garave në Viva Fresh Ligën e Parë. 2 Korriku do ta pret në “konak” Vushtrrinë, duel ky që do të jetë i parafundit para mbylljes së fazës së parë të garave në rangun e dytë të futbollit kosovar.
Me synim rikthimin tek fitorja dhe shkuarje të qetë në pushimin që vjen si rrjedhojë e ndeshjeve të kombëtareve, 2 Korriku i ka marrë të gjitha masat për një kundërshtare cilësore si Vushtrria, që ndonëse e ka nisur jo në mënyrën më të mirë të mundshme, në xhiron e fundit ka treguar se sa fuqi posedon në kontigjentin e saj, duke triumfuar përballë Kikës me shifrat 4:1.
Në anën tjetër, ekipi “verdheblu” nuk arriti që të marrë pikë kundër Prishtinës së Re, por kjo duket sikur vetëm se i ka dhënë fuqi ekipit, pohuar kësisoj edhe nga këmbëshpejti Redon Bejta, që potencoi: “Humbja nuk na pëlqen asnjëherë, por kjo nuk ka ndikuar shumë. Jemi ende shumë herët në kampionat, natyrshëm se do të përballemi me rezultate të ndryshme, por detyra jonë është që të dimë dhe të kthehemi nga këto rezultate, si ai i së mërkurës.”
Anësori Bejta, që në fazën përgatitore u lëndua mjaft rëndë në kyçin e këmbës së djathtë, ka nisur që ta marrë veten dhe të përshtatet mjaft mirë me ritmin e ekipit. Një gol dhe një assist në shtatë ndeshje nuk janë shifrat e duhura, por për këtë gjë, Bejta ka disa fjalë: “Lëndimi në verë më la shumë mbrapa. Nuk jam i prirur që të gjejë fjalë arsyetimi, prandaj edhe po punojë që ‘fjalët’ t’i them në fushë. Nuk jam i kënaqur me rendimentin tim të deritanishëm, por po angazhohem që ta marrë veten dhe ta arrij formën time optimale.”
2 Korriku që përballë Vushtrrisë ka katër barazime e dy humbje në gjashtë duelet e fundit, të shtunën me fillim në ora 15:00 do të hyjë me të gjitha forcat për ta mbajtur pozitën e katërt në renditjen tabelare dhe për të shkuar i relaksuar në pushimin dy-javor. Për atë se çka pret nga dueli i së shtunës, Bejta potencoi: “Jemi vendës, në shtëpinë tonë, aty ku jemi më të fortë se kudo tjetër. E respektojmë kundërshtarin, por e shtuna duhet të jetë e jona, fitorja duhet të na takojë neve në fund. Jam pjesë e një grupi fantastik dhe urojë që bashkë do të jemi kokëlartë dhe me tri pikë ‘në xhep’”.
Përmendim se ndeshja e lartpërmendur në mes ekipeve nga Prishtina dhe Vushtrria do të luhet në stadiumin “2 Korriku” dhe drejtësinë do ta ndajë gjyqtari Kujtim Krasniqi, që vie po nga kryeqyteti.