Ismajl Hasimi, 15-vjeçari që po i jep siguri portës së ekipit të 19-vjeçarëve

Ekipi i juniorëve të FC 2 Korriku është duke kaluar një prej fillimeve më të mira të edicioneve të fundit. Kësaj gjëje pa dyshim se i ka kontribuuar mbrojtja e fortë e ekipit “verdheblu”, me në krye portierin e transferuar këtë verë, Ismajl Hasimin.

Hasimi, ndonëse vetëm 15-vjeçar, ka arritur që të japë siguri për portën e ekipit nga kryeqendra. Gjashtë paraqitje në këtë edicion, kanë mjaftuar që porteri i lindur më 1 Prill 2008 të bindë me cilësitë e tij, e madje të fitojë vend startuesi në një ekip me moshë shumë më të lartë se sa mosha e tij.

I vlerësuar lartë nga kryetrajneri Labinot Haziri e Granit Statovci si trajner i portierëve në ekipin e moshave nën 19-vjeç, Ismajl Hasimi ka treguar se vlen shumë dhe se ka pasion të madh për të punuar e për të arritur shumë në karrierën e tij prej portieri. Puna e madhe pa dyshim se nuk i ka mbetur e pavlerësuar, për çka, ndonëse në moshë shumë të re, ka marrë ftesë nga ekipi kombëtar i Kosovës U17, për ndeshjet miqësore që kjo e fundit i ka zhvilluar kundër Shqipërisë U17 në Kukës.

“Janë ndoshta momentet më të mira (paraqitjet me ekipin) në karrierën time deri tani. Po i shijoj jashtëzakonisht shumë, sepse krahas paraqitjeve që po i bëj edhe unë edhe ekipi, po na gëzon shumë fakti se jemi liderë të kampionatit tash e sa javë. Premtojë se puna nga ana ime nuk do të mungojë, e po ashtu falënderoj klubin e trajnerët që kanë vendosur të më besojnë kaq shumë, përkundër që unë jam në një moshë ende të re”, tha për 2korriku.com, numri një i portës “verdheblu”, Ismajl Hasimi.

Fjalë vlerësuese për të mirë kanë qenë edhe ato të trajnerëve të ekipit të juniorëve të 2 Korrikut, të cilët po vazhdojnë t’i besojnë fanelën e titullarit në shumë ndeshje, si ajo e të premtes së kaluar në Istog, ku në “Demush Mavraj” pritja e Hasimit në fundin e ndeshjes lirshëm mund të thuhet se pati vlerën e një goli të shënuar, e që në fund i ndihmoi që ta mbajë portën e paprekur për të katërtën herë me radhë.

Potenciali i Hasimit është parë qysh në kohën kur ai aktivizohej tek KF Ulpiana, teksa afrimi i tij në klubin e 2 Korrikut në verën e këtij viti po del të jetë i duhuri, me shtatlartin që dita-ditës po tregon se sa shumë potencial posedon.

Publikime të ngjajshme

FC 2 KORRIKU

Historiku i Klubit

Klubi i Futbollit “‘2 Korriku” është themeluar në vitin 1957, me emrin e atëhershëm Klubi i Futbollit “Proleteri”. Në vitin 1990, klubi ndërroi nomenklaturën, duke marrë emër të ri, Klubi i Futbollit “2 Korriku”, emër të cilin e bartë edhe sot.

Skuadra e Femrave