Në xhiron e dhjetë kampionale, 2 Korriku do të marrë udhë drejt Ferizajt, për t’u përballur me ekipin nga ky qytet që mban po të njëjtin emër e që ndodhet vetëm një pozitë më lartë se sa ekipi “verdheblu” në renditjen tabelare të grupit “B” në Viva Fresh Ligën e Parë në futboll.
2korriku.com ka vendosur që para këtij dueli ta intervistojë futbollistin e ardhur në verën e këtij viti në klubin kryeqytetas, anësorin Londrit Hamidi. Futbollisti ka folur rreth shumë detajeve, përfshirë komponimin e tij me ekipin si dhe ndjesinë e përjetuar përgjatë këtyre muajve si pjesëtar i 2 Korrikut.
Kalimi në skuadrën e 2 Korrikut
“Kam ardhur me një klub që më ka dhënë mbështetje që nga dita e parë. Tash kam hyrë në një seri të mirë të ndeshjeve dhe mendoj se po jap paraqitje pozitive, por normal se do të kam kohë për ta marrë veten edhe më shumë deri sa ta arrijë formën optimale.”
Rezultatet me ekipin kryeqytetas
“Nuk mund të them se jam shumë i kënaqur, sepse e di që kemi më shumë mundësi, por edhe këto pikë që i kemi marrë nuk janë pak. Kemi lëshuar pikë në disa ndeshje që nuk e kemi merituar, por futbolli është i tillë.”
E ardhmja si futbollist
“Momentalisht e kam krejt fokusin tek ekipi, se si t’i ndihmojë ata. Se çka do të ndodhë në të ardhmen nuk e di, por që do ta japë maksimumin përherë, për këtë gjë jam i sigurt. Dua që me ekipin të arrijë sa më shumë fitore e të shkojmë sa më lartë në këtë kampionat.”
Mesazhi për ndeshjen kundër Ferizaj
“Është ndeshje e radhës, sërish si mysafirë. Nuk shkojmë askund të dorëzuar. Jemi përgatitur në mënyrë maksimale për këtë ndeshje dhe besojmë që kemi për ta arritur objektivin që nga ai astadium të mos dalim pa pikë. Shpresojë që të jetë dita jonë më e mirë dhe të kthehemi me fitore nga Ferizaj.”