Në prag të ndeshjes 2 Korriku – Vjosa, ndeshje që i takon javës së dytë të grupit “B” të Viva Fresh Ligës së Parë, ka folur futbollisti Shefki Aliti për faqen zyrtare të “verdhebluve”, i cili ka treguar për pritshmëritë e tij nga kjo ndeshje dhe gjithçka tjetër.
Aliti, që nesër pret ndeshje të vështirë përballë një skuadre të promovuar këtë vit në Viva Fresh Ligën e Parë, potencon se skuadra është gati për të dhënë maksimumin dhe për ta arritur fitoren e parë në shtëpi. “Ndihemi mirë. Kemi punuar shumë që të përmirësohemi e të mos i përsërisim gabimet e njëjta që i bëmë në javën e kaluar. E di se Vjosa është skuadër që këtë vit ka hyrë në Ligën e Parë dhe e di se është skuadër e fortë e që do të vij e motivuar, mirëpo për ne, duke e ditur se do të jetë ndeshja e parë si vendës për këtë edicion, ky është momenti i duhur që t’i arrijmë pikët e plota”, tha Shefkiu.
“E mira është se i gjithë grupi po punojmë maksimalisht. Është vetëm fillimi dhe nuk bëhemi merak për ndeshje të tjera pa e përfunduar ndeshjen e nesërme. Po shprehem kështu, sepse e dimë se si shkojnë gjërat dhe po qe se nuk tregojmë maturi dhe nuk tregohemi të kujdesshëm e të mos ngutemi, atëherë gjatë rrugës mund edhe të hasim në probleme. Kështu që, nesër hyjmë të motivuar, hyjmë për ta arritur fitoren e parë, e pastaj, kur ta përfundojmë ndeshjen, do të nisim të mendojmë për ndeshjen e radhës e kështu do të vazhdojmë”, vazhdoi Aliti, i cili debutimin e tij me skuadrën seniore të 2 Korrikut e ka bërë në Mars të këtij viti, saktësisht në ndeshjen kundër Kikës që 2 Korriku e luajti në shtëpi.
I pyetur për formën e tij momentale dhe formën e grupit, anësori që këmbë të preferuar e ka të majtën, u shpreh: “Nuk e kam arritur ende formën optimale, por është diçka normale për momentin, sepse ende nuk kam arritur ta kapi ritmin, të cilin besoj se shumë shpejt do ta kapi dhe do të arrij që të jem në nivelin më të lartë të detyrës. Për të arritur atje duhet ende punë e angazhim, por e di se sa kam punuar e sa kemi punuar bashkë si grup, prandaj besoj se me kalimin e kohës do të arrijmë të shkojmë duke u përmirësuar dhe në këtë mënyrë do të kemi paraqitje edhe më të mira në fushë.”
Teksa u shpreh për shumë gjëra që kryesisht u lidhën me ndeshjen e radhës në kampionat, Aliti për fund potencoi: “Dhemb shumë kur e kujton se si nuk i arritëm pikët e plota në ndeshjen e parë. I kishim të gjitha mundësitë, por nuk arritëm. Sidoqoftë, ajo ka kaluar, nesër do të jemi në një “betejë” tjetër dhe aty do të jemi komplet të fokusuar e të motivuar për t’i marrë tri pikët e para të në këtë edicion.”






