Moshat nën 15-vjeç të Kosovës kanë marrë pjesë në turneun e UEFA-s e që u mbajt në Shkup të Maqedonisë së Veriut. “Dardanët” e rinjë, gjashtë prej të cilëve ishin nga Shkolla e Futbollit “2 Korriku”, i zhvilluan tri ndeshje, nga të cilat mposhtën Malajzinë në penallti e u mposhtën nga Armenia, pas penalltive, dhe kombëtarja e Maqedonisë së Veriut.
Kosova, që turneun e mbylli me tri pikë, u rendit në pozitën e tretë, ndërsa fituese e grupit doli Maqedonia e Veriut me shtatë pikë.

E veçanta e këtij turneu dhe këtij grumbullimi të Kosovës, për Shkollën e Futbollit “2 Korriku”, qëndron në faktin se plot gjashtë futbollistë, pjesë e “verdhebluve”, u ftuan e mbrojtën me dinjitet fanelën “dardane”.
Pos që u ftuan, “verdheblutë” morën minuta në të gjitha ndeshjet, duke nisur me Eliot Ukën, që barti edhe shiritin e kapitenit të kombëtares, i cili u aktivizua si startues në të trija ndeshjet, për të vazhduar me Omer Shalën që u aktivizua dy herë si startues , e pastaj Dion Bajrami, Erhad Vokrri, Aldon Osmani e Omer Rakovica me nga një ndeshje si startues.
Pos rëndësisë për kombëtaren tonë, ky turne do të mbahet mend gjatë edhe nga vet shkolla e 2 Korrikut, për numrin rekord të futbollistëve të ftuar e për paraqitjet e tyre, çka edhe janë treguesit më të mirë të punën së bërë ndër vite nga trajnerët “verdheblu”, punë që vazhdon të bëhet edhe më tej në shkollën kryeqytetase.






