Momente më parë është mbyllur mbledhja e radhës e rregullt e mbajtur në Stamboll të Turqisë me të pranishëm përfaqësuesit e FC 2 Korriku dhe ata të akademisë së Beşiktaş J.K..
Mbledhja e mbajtur në ambientet e akademisë së klubit nga Stambolli, Beşiktaş J.K., pati të pranishëm përfaqësuesit e klubit turk (z. Mehmet Ekşi e z. Halim Okta) dhe përfaqësuesit e klubit kosovar (z. Shaban Baholli, z. Fikret Havolli e z. Gökhan Yusufoğlu).
Takimi që zgjati afro dy orë pati për diskutim tema të ndryshme, por kryesisht u fol për rrjedhën e bashkëpunimit në mes klubeve dhe akademive, respektivisht shkollave të tyre të futbollit, me theks të veçantë të vendosur tek mundësitë që po iu jepen futbollistëve të rinjë nga shkolla “verdheblu” për t’u provuar në akademinë e klubit të Beşiktaş J.K..
Përpos diskutimeve, në fund pati vend për shkëmbimin e disa dhuratave simbolike në mes të të dyja palëve e u thanë fjalë uruese për të gjitha të arriturat nga bashkëpunimi mes akademisë turke e klubit nga Kosova, që sipas raportimeve të të dyja palëve të dhëna kohë pas kohe po del të jetë më i frytshëm se ç’ishte parashikuar.
“Ishte një takim i rregullt për të raportuar dhe diskutuar në lidhje me bashkëpunimin që kemi mes vete. Na vjen mirë që kemi punë me njerëz të shkolluar e profesionistë në fushën e sportit të futbollit dhe jemi shumë të lumtur që bashkëpunimi po na ecën siç është më së miri”, theksoi drejtori i “verdhebluve”, z. Shaban Baholli, me të përfunduar takimi i mbajtur në tokën turke.






