Klubi prishtinas, FC 2 Korriku me sukses ka arritur organizimin e edicionit të dytë të “International Football Tournament”, organizim që mblodhi skuadra nga vendi e Regjioni, të cilat dhuruan shumë emocione e patën mundësinë që nga afër të shohin atë që Kosova mund të ofrojë për to.
Gjithsesi, një organizim i tillë natyrshëm se kërkoi punë të madhe nga krerët e klubit “verdheblu”, të cilët me t’u mbyllur turneu, vendosën që përmes këtij shkrimi të iu drejtohen të gjithë atyre që e jetësuan këtë projekt, e që më ndihmën e tyre bënë të mundur organizimin në mënyrë perfekte duke mos lënë hapësirë për as edhe një gabim.
Kësisoj, FC 2 Korriku fillimisht falënderon të gjithë sponzorët që me ndihmën e tyre në mënyra të ndryshme, ishin “krah i djathtë” i të gjithë organizimit. Klubi kryqeytetas shpreh mirënjohjen për të gjithë dhe shpreson se puna e bërë në këtë vit në turne do të jetë shenjë që në vitet tjera të ketë edhe të tjerë sponzorë që do t’i qëndrojnë afër organizimit në qytetin e Prishtinës.
Në vijim, FC 2 Korriku shpreh mirënjohje ndaj Federatës së Futbollit të Kosovës, respektivisht Komisionit për Delegimin e Gjyqtarëve, të cilët ndihmuan në aspektin organizativ, saktësisht në ftimin e gjyqtarëve për t’i gjykuar ndeshjet e këtij edicioni të turneut, për të cilët po ashtu duhen thënë fjalë falënderimi për mënyrën se si ndanë drejtësinë, dhe për profesionalizmin që treguan në fushën e blertë të ndeshjes.
Tutje, FC 2 Korriku falënderon të gjitha mediumet që me anë të punës së tyre, bënë të mundur prezantimin e këtij projekti gjigant, e të cilin e promovuan në disa mënyra, për të mundësuar pasqyrimin e duhur për të gjitha ngjarjet e edicionit të vitit 2023 të turneut tashmë tradicional.
Falënderim ka edhe për punëtorët mjekësorë, të cilët ishin afër në të gjitha ndeshjet dhe me profesionalizmin e tyre ofruan shërbimet e duhura për të gjithë futbollistët që patën nevojë.
Për fund, por kurrsesi për nga rëndësia, FC 2 Korriku shpreh fjalët më të ndjera e më mirënjohëse për të gjithë stafin organizativ nga klubi kryeqytetas, të cilët me muaj të tërë e sidomos përgjatë ditëve të turneut, punuan ditë e natë, vetëm e vetëm që të mos ketë asnjë mungesë në turne, duke iu ofruar të gjitha ekipeve komoditetin në nivelet më të larta e duke iu plotësuar atyre çdo kërkesë.
Të gjithë këta akterë, FC 2 Koriku i falënderon sërish e iu thotë se është kënaqësi që brenda shtëpisë “verdheblu” të ketë njerëz të tillë, kaq të vlefshëm.
Faleminderit pafund të gjithëve!
FC 2 Korriku ndihet krenar me të gjithë Juve!






