Ndeshja kundër ekipit të FC Ferizaj, përveç se ndeshja e parë zyrtare për 2023/24, njëkohësisht shënoj debutimin e plot pesë futbollistëve të 2 Korrikut, të afruar në afatin kalimtar veror.
Kryetrajneri Besim Ademi vendosi që nga minuta e parë t’i aktivizojë dy sulmuesit Ardit Gashi e Enes Duraku, si dhe mesfushorin Edon Zeçiri, kurse minuta për dy të tjerët të transferuar, mbrojtësin Albert Stublla e sulmuesin Shqiprim Kelmendi, pati në fraksionin e dytë të ndeshjes, saktësisht nga minuta e gjashtëdhjetë, kur që të dy u aktivizuan njëkohësisht.
Ndikimi i prurjeve të reja u pa qysh në duelin e parë, me të afruarit që treguan se do të jenë vlerë e shtuar e skuadrës si dhe konfirmuan se hapësirat në të cilat është ndërhyrë në merkato kanë qenë të qëlluara – gjë kjo për t’u vlerësuar për klubin “verdheblu”.
Paraqitja e ekipit “verdheblu” në duelin e parë zyrtar
Ndonëse jo në formën më të lartë, 2 Korriku dje arriti një pikë shumë të vlefshme përballë Ferizajt, që me meritë konsiderohet favoriti kryesor për ta siguruar ngritjen në një rang më lartë të garave.
Një pjesë e parë për t’u harruar, por një pjesëlojë e dytë me shumë ndryshime, sidomos në ritmin e treguar, bënë që 2 Korriku të fitoj besimin se vijimi i kampionatit do të bëjë që ekipi të dalë në sistemin më të mirë të lojës, ose thënë më mirë në atë që ekipi ka ditur të tregojë në ndeshjet e fundit para-sezonale, kur ka dominuar kundërshtarët e u ka shënuar nga loja e rrjedhshme dhe jo vetëm.
Për t’u përmendur e vlerësuar lartë për ekipin nga Arbëria e kryeqytetit është fakti se siç duket, ekipi tanimë ka një “vrasës” në sulm, si Enes Duraku, që me golin e shënuar në shtesën e ndeshjes e vazhdoi ecurinë e mirë të golave që kishte shënuar në fazën përgatitore. Përveç golave, Duraku tregoi se është altruist dhe si i tillë i vendosi shokët e skuadrës në pozita të mira shënimi disa herë, përmendim rastin e Gashit e Kelmendit në pjesën e dytë, por që fati nuk ishte me djemtë e udhëhequr nga ish-futbollisti Ademi.
2 Korrikun dje pa dyshim se e karakterizoi “lufta” e pakompromis dhe mos-dorëzimi deri në çastet e fundit në çdo cep të fushës, e këto siç duket janë më të mirët sinjalizues se ky edicion garues do të dallojë shumë nga i kaluari, kur ekipi tek në xhirot e fundit siguroi mbijetesën.
Tani, me një pikë të fituar, e me besimin se do të ketë përmirësim në lojë, 2 Korriku do t’i hedh sytë kah rivali lokal Flamurtari, me të cilin do të ndeshet të shtunën e ardhshme po në stadiumin “2 Korriku”, që me shumë gjasa nga ky edicion do të ketë numër më të madh të shikuesve, element ky i ndikuar nga ndërtimi i tribunës lindore që dalëngadalë po merr pamjen e planifikuar që në fillim të projektit.






