Mos-shfrytëzimi i rasteve dhe ngathtësia e treguar në raste të caktuara në mbrojtje kundër Prishtinës së Re i kushtuan 2 Korrikut me humbjen e dytë sezonale, të parën si mysafir.
2 Korriku sot ka dëshmuar edhe një herë tjetër se ka mundësi që të duelojë me forca të barabarta me secilin prej kundërshtarëve në kampionat, ndonëse sot, nga ajo që është parë edhe në ndeshjet e kaluara ndaj kundërshtarëve tjerë, “verdheblutë” patën përballë një nga skuadrat me më së shumti cilësi në ligë dhe ndoshta më favoriten për të kaluar në elitën e futbollit vendor, që përpos lojës së treguar në fushë, treguan klasin edhe jashtë saj me mikpritjen fantastike ndaj zyrtarëvë të ndeshjes dhe ekipit mysafir.
Futbollistët e ekipeve që sot zhvilluan derbin e qytetit kanë dhënë ndoshta një prej “shfaqjeve” më të mira të edicioneve të fundit në futbollin kosovar për sa i përket respektit të ndërsjellë, lojës fer, por edhe zhvillimit të ndeshjes pa “zhurmë”, diçka që në stadiumet e vendit tonë është bërë e shpeshtë dhe shumë irrituese.

Ekipi i drejtuar nga Besim Ademi sot vërtetë pati përballë kundërshtar të vështirë, por të cilit ia vështirësoi punët deri në “fishkëllimën” e fundit të gjyqtarit Zogaj. Madje, thënë të drejtën, Prishtinën e Re sot në shumë prej rasteve e shpëtoi një ish i 2 Korrikut si Egzon Bislimi, që ishte në krye të detyrës, ashtu si edhe homologu i tij, ylli në rritje i klubit “verdheblu”, Arnis Ajeti.
2 Korriku e nisi shumë mbarë sfidën; rrezikoi tri herë brenda tre minutash. Fillimisht Zeçiri goditi por topi shkoi jashtë, e më pas i la vend Bejtës që me shpejtësinë e tij vuri në vështirësi dyshen Hana-Dragusha, e i cili fillimisht goditi shumë afër portës e më pas gjuajti nga afër por u ndalë nga portieri vendës. Të gjitha këto ndodhën nga minuta e dytë deri tek e pesta.
Hovi i ekipit mysafir nuk u ndalë. Ishte sërish Bejta që kaloi për mrekulli kundërshtarin, pa veten përballë portierit e pati mundësi edhe të asistonte, por vendsoi të gjuajë në portë, me ç’rast u ndalë për të dytën herë nga Bislimi.
Ritmi i ndeshjes shkonte duke u rritur, e rasti i radhës i takoi vendësve. Një tjetër ish i 2 Korrikut, Labinot Jetullahu goditi fuqishëm por pakëz mbi portë. Ky rast doli të jetë sinjali i fundit para se Prishtina e Re të realizoi; vendosjen jo të mirë në zonën e mbrojtjes “verdheblu” e shfrytëzoi Toni Salihu, që i pa-markuar realizoi me kokë për 1:0.
2 Korriku nuk u zmbraps, tentoi që menjëherë t’i barazoi shifrat në 1:1, por tentimi me Gashin qe i pasuksesshëm.
Deri në fundin e pjesës së parë pati vetëm edhe një rast. Ishte Guri Hana ai që tentoi për të shënuar për ekipin nga Hajvalia, por goditja e tij shkoi jashtë portës.
Pjesa e dytë nisi më mirë për vendësit. Të relaksuar me rezultatin dhe shumë më të lirshëm në lojën e tyre, futbollistët me fanelat e kaltërta për pak sa nuk e dyfishuan epërsinë. Meridian Sejdiu tentoi me një krosim-goditje, por i surprizuar nuk mbeti Arnis Ajeti, që qetësoi të gjithë me pritjen e bërë.
Sidoqoftë, Prishtina e Re shfrytëzoi “momentumin” dhe arriti që të shënoj. Jetullahu me goditje shumë të bukur e dërgoi në 2:0 epërsinë e ekipit të tij, por nuk festoi – shenjë respekti për vitet e kaluara në kampin “verdheblu”.
Me dy gola të pësuar e asnjë të shënuar, 2 Korriku më nuk pati se çka të pres dhe u hodh i tëri në sulm, ndonëse fati i keq e përcjelli ekipin që iu desh t’i bëj dy zëvendësime të detyruara për shkak të gjendjes së sulmuesve Enes Duraku e Ardit Gashi të cilët u desh ta lënë fushën para kohe, shto këtu edhe mos-paraqitjen e Albert Stubllës (i lënduar).
Por, as lëndimet nuk e ndalën 2 Korrikun nga krijimi i gjysmë-rasteve, kërkimi i një penalltie (rast shumë i dyshimtë në një ndërhyrje të Sejdiut në Stubllën, por e pamjaftueshme për penallti sipas Gentrit Zogajt) e madje edhe shënimi i golit.
Vazhdimi i ndeshjes pa një ekip mysafir më agresiv kundër atij vendës që ishte shumë më i qetë, krejt kjo për shkak të epërsisë solide të fituar në minutat e parë të fraksionit të dytë.
Në kërkim të barazimit, 2 Korriku inkuadroi nga banka rezervë futbollistë si Londrit Hamidi, Ideal Abdullahu e Shqiprim Kelmendi, me të parin që doli të jetë i suksesshëm, teksa në dhjetë minutat e fundit të ndeshjes e arriti edhe golin e tij të parë me fanelën me ngjyrat kaltër e verdhë – i asistuar për mrekulli nga Redon Bejta.
Shkuarja me të gjitha forcat përpara gati sa nuk i kushtoi me pësim të golave ekipit mysafir, që sidomos në minutat e fundit u shpëtua 3-4 herë nga portieri Ajeti, që mbajti në “lojë” ekipin e tij, por nuk mjaftoi, sepse ishte shumë vonë dhe as shtatë minutat shtesë nga gjyqtari kryesor nuk shërbyen që në ndeshje të ketë gola tjerë – dueli u mbyllë me fitoren e Prishtinës së Re.
Pas kësaj përballjeje, 2 Korriku do të rikthehet të luaj si vendës – do ta pres Vushtrrinë e “këndellur”, që sot triumfoi në shtëpi me rezultatin bindës 4:1 kundër Kikës së vendit të fundit në renditjen tabelare.

Viva Fresh Liga e Parë- Xhiro VII
Prishtina e Re – 2 Korriku 2:1 (1:0)
Gjyqtarët e ndeshjes: Gentrit Zogaj, Florim Jakupi, Uranit Berisha
Delegati i FFK-së: Xhafer Hajrullaga
Vëzhguesi i referimit: Besfort Kasumi nga Prishtina
Formacioni startues i Prishtinës së Re: Egzon Bislimi, Fatlind Azizi, Guri Hana, Fehmi Dragusha, Meridian Sejdiu, Labinot Jetullahu, Flamur Bajrami, Kreshnik Bahtiri, Samir Sadriu /kap./, Lorik Dobratiqi, Toni Sadriu. Kryetrajner: Elon Berisha.
Formacioni startues i 2 Korrikut: Arnis Ajeti, Abit Salihu, Agron Beqiri, Jehon Stublla, Milot Hyseni, Andi Oruqi /kap./, Edon Zeçiri, Gneilpekan Marius Camara, Enes Duraku, Ardit Gashi, Redon Bejta. Kryetrajner: Besim Ademi.






