Ekipi i nën 19-vjeçarëve të Klubit të Futbollit “2 Korriku”, pas fitores me rezultat minimal 0:1 në udhëtim tek Prishtina, ka përfunduar me sukses fazën e parë të edicionit 2023/24, teksa pas dymbëdhjetë fitoreve në pesëmbëdhjetë ndeshje të zhvilluara ka arritur që ta sigurojë vendin e parë në renditjen tabelare me plot gjashtë pikë diferencë nga vendi i dytë.
Të rinjtë e klubit “verdheblu” kanë arritur që të tregohen dominantë ndaj bashkëmoshatarëve të tyre dhe për rrjedhojë kanë pasur qëndrueshmëri të rezultateve në këtë pjesë të kampionatit, madje kanë arritur që të dallohen si sulmi më i mirë në këto gara, me plot 40 sosh të shënuara, me mesatare fantastike prej afro tre golave për ndeshje. Ndërsa, kanë pranuar vetëm 20 gola, duke e pasur mbrojtjen e gjashtë më të mirë në këtë konkurrencë.
“Stinorin e vjeshtës e mbyllëm me fitore në ndeshjen derbi përballë Prishtinës, ashtu siç edhe e kemi nisur. Në fakt ne e kemi kryer vetëm gjysmën e punës, sepse i kemi edhe plot trembëdhjetë ndeshje tjera për t’i luajtur në pranverë, të cilat medoemos duhen fituar. Ekipin e përgëzojë për angazhimin, e po ashtu falënderojë edhe bashkëpuntorët e mi për triumfin e deritanishëm. Na mbetet punë e madhe për t’u bërë në vazhdim, mirëpo motivi nuk mungon, sidomos tani kur jemi liderë dhe do të kërkojmë me çdo kusht që ta mbrojmë këtë epitet”, tha Labinot Haziri, kryetrajneri i juniorëve “verdheblu”.

Vlen të përmendet se në suksesin e ekipit të nën 19-vjeçarëve kanë ndihmuar jashtëzakonisht shumë edhe Egzon Fetahu (ndihmës-trajner) e Granit Statovci (trajner i portierëve), që mes tjerash janë shprehur shumë të lumtur që ekipi që ata drejtojnë i ka kryer me përpikmëri detyrat dhe ka ardhur deri tek kjo arritje.
Superliga U19 tani shkon në pushim, derisa rikthehet në pranverë, saktësisht në fillimin e muajit Mars kur edhe do të zhvillohen ndeshjet e xhiros së shtatëmbëdhjetë.






