Arjol Bllaca është gati; mesfushori premtues flet për ndeshjen e parë zyrtare për vitin 2023

Pas afro tre muajsh, këtë fundjavë ekipi i 2 Korrikut rikthehet të luaj ndeshje zyrtare në kuadër të grupit “B” të Viva Fresh Ligës së Parë. Kësaj radhe, në nismë të stinorit pranveror, “verdheblutë” do ta kenë për mysafire skuadrën e Fushë Kosovës, ndaj të cilës kjo do të jetë ndeshja e dytë e edicionit 2022/23.

Skuadra e 2 Korrikut, e udhëhequr nga kryetrajner Besim Ademi, këtë paradite ka mbyllur përgatitjet për duelin e nesërm që nisë nga ora 13:00 në fushën e 2 Korrikut. Për përgatitjet dimërore dhe jo vetëm, 2korriku.com zgjodhi që ta intervistojë mesfushorin premtues, Arjol Bllacën, i cili së pari theksoi: “Sot e kemi mbyllur një periudhë të gjatë të punës që kemi bërë në muajt e fundit, me të vetmin qëllim që të përgatitemi për kampionatin e gjatë që na pret para. Ndihem shumë mirë dhe jam shumë i lumtur që pas këtij pushimi kaq të gjatë po rikthehemi tek ndeshjet zyrtare.”

Bllaca, që debutimin e tij e kishte bërë pikërisht një vit më parë, po ashtu në ndeshjen e parë të stinorit pranveror, ka treguar se si e vlerëson gjendjen e ekipit dhe se çka pret nga e ardhmja. “Lirshëm mund të them se kemi bërë punë të mirë gjatë fazës përgatitore; ekipi ka pësuar disa ndryshime dhe tash mendoj se jemi më të kompletuar. Me kontigjentin që kemi dhe komponimin që kemi arritur deri tash, në vijim besoj se do të jemi shumë më këmbëngulës”, potencoi Arjoli, i rrituri në shkollën e futbollit “verdheblu”.

Për fund, nuk kishte se si të mungonte edhe një mesazh i vet mesfushorit për përballjen kundër kryesueve të kampionatit. “Ndeshjet e para janë shumë të vështira, janë pak më ndryshe sesa ndeshjet e tjera, mirëpo ne jemi gati që të ‘luftojmë’ nga fillimi gjer në fund të ndeshjes. Përballë do ta kemi Fushë Kosovën, ekipin kampion vjeshtor të kampionatit tonë, por kjo për ne nuk ka shumë rëndësi. Hyjmë me të gjitha forcat, vetëm që të fitojmë dhe ta nisim me kokën lartë.”

Publikime të ngjajshme

FC 2 KORRIKU

Historiku i Klubit

Klubi i Futbollit “‘2 Korriku” është themeluar në vitin 1957, me emrin e atëhershëm Klubi i Futbollit “Proleteri”. Në vitin 1990, klubi ndërroi nomenklaturën, duke marrë emër të ri, Klubi i Futbollit “2 Korriku”, emër të cilin e bartë edhe sot.

Skuadra e Femrave