Xhiro e shtatëmbëdhjetë në Viva Fresh Ligën e Parë sjell shumë duele interesante, disa nga të cilat luhen për kreun e tabelës e disa nga to për fundin e saj. Një ndër duelet e rëndësishme të kësaj xhiroje pa dyshim se është ai ndërmjet skuadrës së 2 Korrikut dhe asaj nga Dobraja e Lipjanit, Arbërisë.
Skuadra “verdheblu”, që veten e sheh të pamposhtur që nga xhiroja e njëmbëdhjetë, ka mbyllur të gjitha përgatitjet dhe fokusin e plotë e ka në drejtim të së shtunës.
“Me sukses e përfunduam stërvitjen e fundit të kësaj jave. Jemi përballë një prej ndeshjeve më të rëndësishme të stinorit dhe jemi të fokusuar maksimalisht”, theksoi pas seancës stërvitore të së premtes, lideri i mbrojtjes “verdheblu”, dikur kapiten i ekipit, Agron Beqiri.
“Puna e bërë gjatë kësaj jave ka qenë mjaft intensive; kemi punuar fort, sepse e dimë rëndësinë e ndeshjes me Arbërinë. Na ka penguar fakti që nga ndeshjet e fundit nuk kemi dalë fitues dhe nuk i kemi shfrytëzuar rastet e arta që i kemi pasur, por këto ja kemi lënë të kaluarës dhe kemi vendosur të mos mendojmë për gjërat që kanë shkuar, por të shikojmë para dhe të mos i përsërisim gabimet e ndeshjeve të mëparshme”, vazhdoi më tej Beqiri, i cili me 2 Korrikun ka kaluar shifrën e njëqind paraqitjeve në ndeshje zyrtare.
I pyteur se a ka 2 Korriku forcë që në të ardhmen të shkojë duke treguar edhe më shumë sesa ajo që është treguar në dy xhirot e para të pranverës, futbollisti “verdheblu” nuk hezitoi të përgjigjet dhe tha: “Në dy ndeshjet që i kemi zhvilluar deri tash në kampionat mendoj se kemi treguar nivel dhe karakter më të fortë se sa në ndeshjet e vjeshtës. Duke e ditur pasionin edhe dëshirën e madhe të secilit prej neve për ta arritur objektivin e sezonit, besoj shumë se mund të ngrihemi shumë më lartë sesa kjo që kemi treguar në këto ndeshje të para; thjesht duhet të ia lëmë kohës dhe të mos zbrapsemi nga asgjë.”

2 Korriku dhe Arbëria kanë kuotën e njëjtë të pikëve dhe gjenden në pozitat tetë dhe nëntë në renditjen tabelare. Këto fakte tregojnë vet për rëndësinë e ndeshjes për të dyja përbërjet, andaj për të treguar motivin e lartë nga kampi “verdheblu”, Agron Beqiri zgjodhi këtë mesazh për ta dhënë: “Bashkë kemi treguar se jemi më të fortë; kemi kaluar bukur shumë sfida dhe sërish nuk jemi ndalur. Nesër është koha që t’ia shpërblejmë vetes punën e bërë. Hyjmë në fushë me një qëllim të vetëm – t’i fitojmë tri pikë”.
Rikujtojmë se 2 Korriku – Arbëria nis në ora 13:00 të shtunën e 4 Marsit dhe zhvillohet në stadiumin “2 Korriku” në lagjen Arbëria të kryeqytetit.






